Senatori amerikan, Bernie Sanders, ka hedhur poshtë komentet e presidentit Donald Trump për të ardhmen e Gazës, duke theksuar se enklava palestineze e shkatërruar nga lufta izraelite duhet të rindërtohet për palestinezët dhe jo për investitorët e pasur, transmeton Anadolu.

Në platformën sociale X, Sanders kujtoi se më shumë se 47 mijë palestinezë janë vrarë dhe mbi 111 mijë të tjerë janë plagosur nga sulmet izraelite.

“Përgjigja e Trumpit… dëboni me forcë palestinezët për ta bërë Gazën ‘një zhvillim të pasurive të paluajtshme për të ardhmen, një copë toke të bukur’. Jo, Gaza duhet të rindërtohet për popullin palestinez, jo për turistët miliarderë”, shkroi Sanders.

Komentet e tij erdhën pasi sot presidenti Trump tha se palestinezët që largohen nga Rripi i Gazës së rrethuar nën planin e tij të pronësisë për enklavën bregdetare nuk do të lejohen të kthehen.

“Ne do të ndërtojmë komunitete të sigurta pak larg nga vendi ku janë, ku është i gjithë ky rrezik. Ndërkohë, unë do ta zotëroj këtë. Mendoni si një zhvillim të pasurive të paluajtshme për të ardhmen, do të ishte një copë toke e bukur”, tha Trump gjatë një interviste me ‘Fox News’.

I pyetur drejtpërdrejtë nga intervistuese për palestinezët “nëse do të kishin të drejtë të kthehen”, Trump tha në mënyrë të prerë, “Jo, nuk do ta bënin, sepse do të kenë strehim shumë më të mirë”.

Plani i diskutueshëm i Trumpit për Gazën

Trump paraqiti propozimin e tij në mes të një armëpushimi të vazhdueshëm që ka ndalur luftën e Izraelit në Gaza pas 15 muajsh. Plani i tij për të marrë pronësinë e Gazës është refuzuar ashpër në skenën botërore, por Trump ka këmbëngulur se do ta kalojë atë, duke pretenduar vazhdimisht se ai mund ta detyrojë Egjiptin dhe Jordaninë të pranojnë refugjatët palestinezë, pretendime të cilat ata i kanë kundërshtuar publikisht, njëjtë si edhe palestinezët.

Plani i Trumpit ndan ngjashmëri të forta me atë të paraqitur publikisht nga dhëndri i tij, Jared Kushner, në mars të vitit 2024, kur si këshilltar i atëhershëm i presidentit lavdëroi pronën “shumë të vlefshme” mesdhetare të territorit palestinez.

“Prona e Gazës mund të jetë shumë e vlefshme nëse njerëzit do të fokusohen në ndërtimin e mjeteve të jetesës”, tha Kushner gjatë një interviste në Universitetin e Harvardit, duke shtuar se “është pak si një situatë fatkeqe atje, por mendoj se nga këndvështrimi i Izraelit do të bëja çmos për t’i larguar njerëzit dhe pastaj për ta pastruar atë”.

Lufta e Izraelit në Gaza e ka kthyer enklavën e rrethuar në gërmadha, me gjysmën e banesave të saj të dëmtuara ose të shkatërruara dhe me pothuajse 2 milionë njerëz të zhvendosur mes mungesës së madhe të kanalizimeve, furnizimeve mjekësore, ushqimit dhe ujit të pastër. Gjithashtu të paktën 48 mijë palestineze janë vrarë si pasojë e luftës izraelite.