“Atyre do t’u jepet shpërblim i dyfishtë, për shkak të durimit që kanë treguar. Ata e zmbrapsin të keqen me të mirë, ndajnë lëmoshë nga ajo që u kemi dhënë Ne.” (El Kasas, 54)
Nga Jasir Jashari
I.
Në një “filozofemë” të fundit Shaqir Fetai paska zgjedhur që të na “ligjërojë” mbi durimin! I motivuar nga durimi i guximtarëve të cilët, natë e ditë ia tregojnë padurueshmërinë, paqëndrueshmërinë dhe paburrërinë Shaqir Fetait me të cilat karakteristika njihet tashmë në shoqëri. Këta të guximshmit, tash e dhjetë vite veprojnë durueshëm, pa u ngutur dhe pa intriga. Sepse, durimtarët e Lëvizjes mbështeten në Kuranin Famëlartë ku Allahu xh.sh. thotë: “Prandaj duro! Durimi yt është vetëm me ndihmën e Allahut. Dhe mos u pikëllo për ta e mos u ngushto për shkak të dredhive të tyre!” (En Nahl, 127)
Fundja, durimi është guximi për të ndryshuar gjërat që mund t’i ndryshosh. Mbi këtë durim shkruan Shaqir Fetai, madje edhe thotë: “durimi është hapsirë e argumentit, analizës, qasjes, mendimit, qetësisë, urtësisë, mençurisë, vendosshmërisë”! Ku e ka hasur këtë koncept mbi durimin Shaqir Fetai nëse jo te drejtuesit e Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI! Ky proces është jetik për Institucionin tonë të cilën aktualisht po e vjelin dofarë grykësa që frymojnë me intriga dhe që jetojnë prej intrigave, ndonëse, ngjashëm si munafikët, thirren në mësime kuranore dhe në praktikat e Pejgamberit tonë të dashur, Muhamedit s.a.v.s. Kush analizon, kush ka qasje objektive, kush ofron mendime dhe zgjidhje islame, kush shquhet me qetësi, urtësi e mençuri si pasojë e durimit të porositur nga i Madhi Zot, përveçse drejtuesit e Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI, për durimin e të cilëve shkruan me pietet edhe Shaqir Fetai. Me gjasë i paska filluar “PULSI” dhe po e ndjenë durimin i cili i mungon atij. Po ta kishte durimin Shaqir Fetai, do të logjikonte ndryshe, do t’i pranonte “selamet” për takime vëllazërore dhe për dakortësime për t’i zgjedhur problemet qetë, me durim e maturi, dhe nuk do t’i interpretonte ato si “nënshtrim të armikut”! Tash “u kry seni”, është tepër vonë dhe, shpërfytyrimi i vetëvetes nga munafiku e intriganti në “durimtar” është sa naive aq edhe fallce!
Durimi pa pendesë është nocion i thatë! Një Zot e di, mbase edhe ka nisur të reflektojë dhe ka nevojë edhe për pendesë Shaqir Fetai kur thotë se “nga vetja duhet të largohet xhelozia, egoizmi, emocionet (!), interesi dhe t’i jepet përparësi argumentit, maturisë që e shton durimin”! I padurueshmi Shaqir Fetai në mungesë të këtyre vlerave gjithmonë e zgjodhi gjyqësorin duke e dëmtuar rënd buxhetin e BFI-së të themeluar nga fitri e zeqati për zhvillimin e jetës fetare islame dhe jo për mbushjen e xhepave të gjykatoreve e të avokatëve pjesëtarë të familjes!
Është mirë që Shaqir Fetai lakmon në durimin e “armiqve” të vet dhe, më në fund bëhet i logjikshëm duke u dorezuar para durimit të tyre. Para durimit thyhen të gjitha forcat e errta dhe, e keqja, e liga, largohen vetëm me të mirën e durimtarit. Kështu na mëson edhe ajeti 54 i sures El Kasas: “Atyre do t’u jepet shpërblim i dyfishtë, për shkak të durimit që kanë treguar. Ata e zmbrapsin të keqen me të mirë, ndajnë lëmoshë nga ajo që u kemi dhënë Ne.”
II.
Kur të kaplon vetmia, shtohet pikëllimi. Vetmia dhe pikëllimi janë dy helme që e vdesin shpirtin, që e ndrydhin logjikën ndaj dhe kemi veprime anormale që shfaqen te depresionistët. Kjo situatë tejkalohet vetëm, duke qenë i shoqëruar, qoftë edhe për një moment. Personat e këtillë, që vuajnë nga vetmia dhe pikëllimi, kërkojnë shoqërim, këtë shoqërim mund ta paguajnë edhe me darka e dreka në “Panorama”, vetëm e vetëm që mos të ndjehen vetë. Kur teprohet me pagesa të padhimbshme, atëherë, ftohen njerëz në çaj e kafe-muhabet. Kur nuk të vinë të urtit e të mençurit atëherë thërret kalamaj, me rëndësi është që i vetmuari e i pikëlluari të argëtohet, të rrëfehet para dikujt që do ta “madhërojnë” e do ta pranojnë si “kristal” ndonëse brenda e jashtë i palarë e i bërë pis.
Ju kujtohet se si Shaqir Fetai e shterri këtë kontigjent me njerëz që i mblidhte nga rruga e nga pazari për t’i qerasur me çaj BFI-je e jo të shtëpisë së vet! Tanimë ky kontigjent ose është sosur ose i shmangen pasi e kanë kuptuar se, ndeja me të është përplot me hile. Medresantët janë shtresa më e ndershme e shoqërisë sonë: janë të pastër, përplot me ambicie të shëndosha, janë përplot me respekt ndaj profesorëve, janë të moralshëm e të përkorë para komunitetit të teologëve në të cilën grup do të përfshihen edhe vetë ata. Ndaj dhe i përgjigjen ftesës së Shaqir Fetait që të shkojnë e ta vizitojnë “reisin”! Dhe, pastaj, “reisi” i tyre fryhet e mufatet si gjelat e detit duke u rrëfyer se sa “i rëndësishëm” që është, me aq shumë “peshë” sa nga graviteti i tij tërhiqen të mëdhenj e të vegjël, pleq e të rinj! Pra, ky nuk e koncepton si respekt të tjetrit, por si rëndësi të (pa)personalitetit të vet. Ai ka nevojë për vizita në zyre (dhe jo në shtëpi të vet), sepse ka nevojë për ta dëshmuar “madhështinë” e vet prej lili-puti!
III.
Shaqir Fetai na informon se dje, fill pas takimit të Ali Ahmetit me ambasadorin e Shqipërisë në Shkup, i njëjti e paska pritur në takim edhe atë! Hajde, për pritjen e Ali Ahmetit është krejt e qartë, e natyrshme dhe e domosdoshme, por, a ka “turk” që e shpjegon arsyen e takimit të Shaqir Fetait me ambasadorin?!
Të gjitha analizat çojnë te një konstatim: Blloku politik shqiptar në qeveri është në bashkëpunim të ngushtë me VV-në e Albin Kurtit, i cili haptazi ka kritikuar politikat jofrytdhënëse të BDI-së për shqiptarët e Maqedonisë! Tani, meqë Shaqir Fetai është instalacion i BDI-së së Ali Ahmetit në krye të BFI-së, atëherë i bie që ai është i kotë edhe për strukturat qeveritare të Kosovës. Pradaj Shaqir Fetai mundohet të gjejë strehë te institucionet e Shqipërisë, e cila drejtohet nga Edi Rama, i cili është në miqësi të ngushtë me Ali Ahmetin e në “armiqësi” të përhershme me Albin Kurtin. Aty ku është Ali Ahmeti aty është edhe Shaqir Fetai! Që të dy miq të Kryeministrit shqiptar, Edi Ramës. Por, Edi Rama mik të ngushtë e ka edhe Aleksandër Vuçiqin! Ndërsa Ambasadori shqiptar, miku i ngushtë i zëvendësikryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Arben Fetait, djali i ish-presidentit Rexhep Mejdani, është puro shqiptar, i cili, ja që ka gjetur kohë që t’i shpjegojë Shaqir Fetait se vlera e shqiptarit qëndron në kohezionin e tij për bashkëjetesë të përhershme ndërfetare, dhe jo në sektarizimin dhe përçarjet e trungut fetar islam siç e ka lejuar, toleruar dhe ushqyer Shaqir Fetai në RMV!
Zoti nuk na do kështu, aq më pak nëse keqpërdorim pozitat dhe amanetin e huaj (fitrin dhe zeqatin) për t’i zbrapsur “armiqtë” imagjinar të paranojakut, o Shaqir Fetai!