Donald Trump ka njoftuar se “shumë” terroristë të ISIS janë vrarë në shpella në Somali nga sulmet ajrore amerikane që ai urdhëroi.
Duke postuar në Truth Social, presidenti amerikan tha: “Këtë mëngjes urdhërova sulme ajrore të sakta ushtarake ndaj Planifikuesit të Sulmit të ISIS dhe terroristëve tjerë në Somali”.
“Këta vrasës, të cilët i gjetëm të fshehur në shpella, kërcënuan Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë”, shtoi Trump.
“Sulmet shkatërruan shpellat ku ata jetojnë dhe vranë shumë terroristë pa dëmtuar në asnjë mënyrë civilët”, përfundoi presidenti amerikan.
Bëhet e ditur se Trump nuk përmendi asnjë nga personat e shënjestruar në sulme, nuk tha nëse kishte ndonjë objektiv në mesin e të vrarëve, apo nuk dha detaje të mëtejshme rreth vendndodhjes.
Ndërkohë, Sekretari amerikan i mbrojtjes Pete Hegseth tha se sulmet nga Komanda e SHBA-së në Afrikë ishin drejtuar nga Trump dhe të koordinuara me qeverinë e Somalisë.
Një vlerësim fillestar i Pentagonit tregoi se “shumë” operativë u vranë dhe asnjë civil nuk u dëmtua, shkruan skynews.
Hegseth tha se sulmet degradojnë aftësinë e ISIS “për të komplotuar dhe kryer sulme terroriste” që kërcënojnë SHBA-në, partnerët dhe civilët e pafajshëm.
“Dërgon një sinjal të qartë se Shtetet e Bashkuara janë gjithmonë të gatshme për të gjetur dhe eliminuar terroristët që kërcënojnë vendin dhe aleatët tanë, edhe pse ne kryejmë mbrojtje të fuqishme kufitare dhe shumë operacione të tjera nën udhëheqjen e presidentit Trump”, tha ai në një deklaratë.
Trump tha se ushtria amerikane kishte shënjestruar planifikuesin e sulmit për vite me rradhë, por ish-presidenti Joe Biden “dhe miqtë e tij nuk do të vepronin aq shpejt sa për të përfunduar punën”.
“E bëra! Mesazhi për ISIS-in dhe të gjithë të tjerët që do të sulmonin amerikanët është se “Ne do t’ju gjejmë dhe do t’ju vrasim”, tha Trump.
Ndryshe, Shtetet e Bashkuara kanë kryer periodikisht sulme në Somali për vite me rradhë si nën administratën republikane dhe atë demokratike.
Një sulm ajror ushtarak amerikan majin e kaluar kishte në shënjestër militantët e ISIS dhe vrau tre, sipas Komandës së SHBA-së për Afrikë.
Forcat speciale amerikane vranë një udhëheqës të lartë të ISIS-it dhe 10 militantë të tjerë në një bastisje në një kompleks shpellash malore në një pjesë të largët të Somalisë veriore në vitin 2023, në një operacion të urdhëruar nga Biden.
Operacioni i fundit vjen pas sulmeve ajrore ushtarake më 30 janar në Sirinë veriperëndimore, të cilat vranë një operativ të lartë në Hurras al Din, një degë e Al-Kaedas.
Zyrtarët ushtarakë amerikanë kanë paralajmëruar se qelizat e ISIS-it kanë marrë drejtim në rritje nga udhëheqja e grupit që u zhvendos në Somalinë veriore.