SHBA-ja ka përjashtuar evropianët nga negociatat për Ukrainën, por Evropa ka një armë sekrete me vlerë 200 miliardë euro

Presidenti amerikan, Donald Trump ka përjashtuar Evropën nga negociatat për luftën në Ukrainë. Megjithatë, Brukseli ka një armë sekrete prej 200 miliardë eurosh që mund të ndryshojë lojën, shkruan Politico.
Pas përjashtimit të Evropës gjatë bisedimeve mes SHBA-së dhe Rusisë më 18 shkurt për përfundimin e luftës në Ukrainë, qeveritë europiane mund të shtrëngojnë “opsionin bërthamor” – sekuestrimin e fondeve shtetërore ruse që janë ngrirë pasi Moska nisi një pushtim të plotë të Ukrainës tre vjet më parë.
Pjesa më e madhe e këtyre fondeve – rreth 200 miliardë euro – ndodhen në institucione financiare Euroclear me qendër në Bruksel dhe tashmë sjellin interesat e konsiderueshme. Nga ana tjetër, SHBA-të mbajnë vetëm rreth pesë miliardë dollarë. Sekuestrimi i këtyre fondeve do të ishte një lëvizje radikale, e cila me shumë mundësi do të sigurojë Evropës më shumë ndikim në negociata, veçanërisht pasi u përjashtua nga bisedimet e fundit mes Uashingtonit dhe Kremlinit në Riad.
Ndërsa ministrat e financave dhe guvernatorët e bankave qendrore mblidhen këtë javë në Afrikën e Jugut për samitin e G20, qeveritë evropiane mbeten ende të ndara nëse zhbllokimi i këtyre fondeve do t’i tregonte Trumpit se Brukseli ende ka forcë politike dhe ekonomike – ose nëse ky hap mund t’i kthehet kundër Evropës.
Në mes të kërcënimeve për mundësinë e tërheqjes së SHBA-ve nga Ukraina, mbështetësit e një qëndrimi të fortë ndaj Rusisë mendojnë se zhbllokimi i fondeve të ngrira dhe kalimi i tyre në Kievin mund të ndihmonte vendin e goditur nga lufta që të fitojë avantazh në fushën e betejës dhe të rezistojë ndaj kërkesave të Trump për përfundimin e luftës.
“Ne kemi 300 miliardë euro vlerë fondesh ruse të ngrira në Evropë dhe duhet t’i shfrytëzojmë ato”, ka deklaruar ministri estonez i Punëve të Jashtme, Margus Tsahkna, duke shtuar se këto fonde mund të zëvendësojnë ndihmën ushtarake dhe ekonomike amerikane për Ukrainën nëse tërhiqet SHBA-ja.
Vendet baltike dhe nordike, të cilat ndajnë kufi me Rusinë, mendojnë se paratë duhet t’i dorëzohen menjëherë Ukrainës. Ky qëndrim mbështetet gjithashtu nga Polonia, Çekia dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e jashtme, ish-kryeministrja estoneze Kaja Kallas.
“Unë nuk e pranoj argumentin se kjo është një çështje ligjore… Na duhet vullnet politik për një lëvizje të tillë”, ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme të Lituanisë, Kęstutis Budrys, duke theksuar se shtetet skeptike të BE-së duhet të ofrojnë “argumente më të forta pse nuk e bëjmë këtë”.
Në një dokument të përgatitur për takimin e ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së, qeveria estoneze ka theksuar se “përmbajtja e fondeve shërben si një levë financiare dhe diplomatike, duke siguruar që Rusia të ketë një nxitje të qartë dhe të prekshme për negociata për zgjidhjen dhe dëmshpërblimin e dëmeve ndaj Ukrainës”.
Vlerësohet se fondet mund të ndihmojnë në rindërtimin e Ukrainës, shpenzimet e të cilës, sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, arrijnë në 486 miliardë dollarë. Shumë shtete të BE-së janë kundër zhbllokimit të fondeve, pasi i shohin ato si fond thelbësor për rindërtimin e Ukrainës së shkatërruar nga lufta.
“Shumë janë kundër, sepse e shohin këtë si para për rindërtimin”, ka thënë një diplomat tjetër i BE-së.
Ndërkohë që negociatat me SHBA-në vazhdojnë, Rusia po shqyrton idenë e përdorimit të fondeve për rindërtim, por me kusht që financimi të përfshijë edhe rajonet e Ukrainës nën kontrollin rus, ka raportuar reuters.
Grupi i G7 arriti vitin e kaluar një marrëveshje për përdorimin e fitimeve nga këto fonde për sigurimin e një huaje për Ukrainën në vlerë prej 50 miliardë dollarësh. Ministrat e financave të G7 do të mblidhen përsëri këtë javë në Cape Town, në kuadër të samitit të G20, për të diskutuar mbështetjen e ardhshme për Ukrainën dhe mundësinë e vazhdimit të sanksioneve ndaj Rusisë.