Aleatët e SHBA-ve presin që administrata e presidentit Donald Trump të paraqesë një plan të shumëpritur për t’i dhënë fund luftës së Rusisë ndaj Ukrainës në Konferencën e Sigurisë së Mynihut javën e ardhshme.
Lajmi u bë i ditur nga Bloomberg, duke cituar njerëz me dijeni për këtë çështje.
Projekti do të përcaktohej për aleatët nga përfaqësuesi special i Trump për Ukrainën dhe Rusinë, Keith Kellogg, thanë njerëzit në kushte anonimiteti.
Duke folur për Newsmax të mërkurën në mbrëmje, Kellogg tha se do të ketë diskutime me liderët evropianë në udhëtimin e tij në Mynih dhe do t’i raportojë përsëri presidentit.
Ai nuk do ta prezantojë planin publikisht, pasi këtë duhet ta bëjë Trump.
Aleatët presin që detajet e propozimit të ndahen në konferencën e 14-16 shkurtit në qytetin bavarez një javë përpara se lufta e Rusisë të arrijë kufirin tre-vjeçar.
Kellogg dhe të tjerët kanë dhënë sugjerime në javët e fundit për atë që aleatët e Trump e kanë quajtur si “paqe përmes forcës”.
Elementet përfshijnë ngrirjen e mundshme të konfliktit dhe lënien në harresë të territorit të pushtuar nga forcat ruse, duke i ofruar Ukrainës garanci sigurie që Moska të mos sulmojë përsëri.
Më vonë gjatë këtij muaji, Kellogg pritet të bëjë udhëtimin e tij të parë në Kyiv dhe gjetkë në Bashkimin Evropian, sipas njerëzve të njohur me këtë çështje. Në Ukrainë, ai pritet të takohet me Zelensky-in.
Ndërkohë, udhëheqësi ukrainas po planifikon të udhëtojë në disa vende të rajonit të Gjirit pas konferencës së Mynihut, thanë njerëzit.
Gjenerali Kellogg do të vazhdojë të angazhojë aleatët për të ndihmuar në përmbushjen e premtimit të presidentit Trump për t’i dhënë fund luftës, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Brian Hughes.
Kellogg ka sinjalizuar se SHBA-të do të donin që zgjedhjet të mbaheshin në Ukrainë pas një armëpushimi, ndërsa Trump ka treguar se aksesi në mineralet kritike në këmbim të mbështetjes së SHBA-ve mund të jetë pjesë e një zgjidhjeje.
Presidenti amerikan e ka kërcënuar gjithashtu Moskën me sanksione masive nëse nuk angazhohet në bisedime.
Si Putin, ashtu edhe Zelensky sinjalizuan se refuzimi i tyre i mëparshëm për të biseduar me njëri-tjetrin është zbutur ndërsa plani i Trump po afrohet./AlbanianPost/