Shkarkimi i Kocevskit kaloi në seancën e qeverisë, propozimi vijon tek Këshilli i prokurorëve publikë

Propozimi për shkarkimin e prokurorit publik të shtetit Ljupço Kocevski kaloi sot në seancën e Qeverisë, pasi Ministria e Drejtësisë e përgatiti propozimin.
Në propozimin e Minstrisë së Drejtësisë thuhet se Kocevski ka vepruar në rastet në të cilat sipas dispozitave ligjore ka pasur rrethana që kanë ngritur dyshime për paanshmërinë e tij, si dhe konflikt interesi për të cilin është dashur të dijë dhe është dashur të tërhiqet.
Tashmë Qeveria do të duhet t’ia dorëzojë propozimin Këshillit të Prokurorëve Publikë, nga i cili pritet një opinion brenda 15 ditëve të ardhshme.
Ligji për Prokurorinë Publike thotë se nëse Këshilli i Prokurorëve Publikë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, për arsye të ndryshme, nuk dorëzon mendim në Qeveri në afatin e caktuar, afati zgjatet edhe për 15 ditë.
“Nëse Këshilli i Prokurorëve Publikë të Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk paraqet mendim brenda këtij afati, konsiderohet se nuk e përkrah propozimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në nenin 88 të Ligjit për Prokurorinë Publike.
Fjalën e fundit për shkarkimin e prokurorit publik të shtetit do ta kenë deputetët, me 61 vota në Kuvend për shkarkimin e tij.
Në këtë seancë, sipas ligjit, në të mund të marrë pjesë dhe të flasë prokurori publik i shtetit me propozim të Qeverisë për shkarkimin e tij.