Lëvizja “Shqipëria bëhet” dhe “Nisma Thurje” kanë bashkuar zyrtarisht forcat, duke firmosur marrëveshjen për të garuar si koalicion në zgjedhjet e 11 majit.

Në një konferencë për mediat kryetarët e të dyja forcave politike, Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani zyrtarizuan koalicionin, ndërsa lanë derën e hapur edhe për opozitarë të tjerë që mund t’i bashkohen atyre.

Lapaj tha se në listën e tyre do të ketë edhe emra që përfaqësojnë shqiptarët e Diasporës, ndërsa konfirmoi se janë në negociata edhe me Lëvizjen e Legalitetit.

“Në lidhje me subjektet me të cilat po negociohet, sigurisht është një bashkësi intelektualësh të Diasporës, me të cilët po negociojmë që edhe ata të kenë përfaqësuesit e vetë në kandidim. Dhe e dyta është Lëvizja e Legalitetit, me të cilën besojmë se mund të shkojmë në këtë drejtim dhe jemi në pritje të një finalizimi përfundimtar. Këto janë në aspektet e subjekteve. Ndërsa sa i takon individëve dua të theksoj se deri në ditën e fundit kur mbyllet procesi, më 12 mars, jemi të hapur te faqja Shqipëriabëhet.al, aplikacioni Kandido, ku çdo intelektual ose qytetar i angazhuar që gjykon se ka vlera që mund të përfaqësojë qytetarët, mund të vetë propozohet për kandidat dhe në fund ne do të bëjmë listën përfundimtare duke i dhënë mundësinë çdo njeriu që e gjykon”, tha Adriatik Lapaj.

Sakaq, të dy liderët konfirmuan se do të garojnë në lista të hapura. “Të gjitha ekipet qendrore të lëvizjeve tona, Kryesitë do të jenë në listë të hapura, përfshirë zotin Shabani dhe mua”, tha Lapaj.

Ndërkohë, Endri Shabani shpjegoi skemën sesi do të garojë koalicioni në fjalë me lista të hapura në zgjedhjet e 11 Majit.

“Ne nuk po garojmë me lista të mbyllura, për pasojë kemi filtra pa dyshim të njerëzve që nuk kanë përgjegjësi për situatën ku është Shqipëria sot, njerëz që kanë figurë të pastër morale dhe nuk kanë kryer vepra penale. Por edhe njerëz që kanë staminën për të rezistuar në këtë rrugë shumë të vështirë që kemi zgjedhur. Por pjesa tjetër në listë të hapur e vendos zgjedhësi. Zgjedhësit do ti paraqiten 140 kandidatë në lista të hapura ku ata do të zgjedhin të preferuarin e tyre. Ato partia që garojnë me lista të mbyllura e fshehin këtë me primare dhe skema të tjera”, tha Endri Shabani. (A2 Televizion)