Një sondazh i publikuar së fundmi tregon se 55 për qind e amerikanëve besojnë se miliarderi Elon Musk, aleat kyç i presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe kreu i një ekipi jozyrtar të ngarkuar me shkurtimin e buxhetit të qeverisë federale amerikane, ka shumë pushtet në ndikimin në vendimet që prekin kombin, transmeton Anadolu.

Sondazhi i Universitetit “Quinnipiac”, i realizuar në datat 3-17 shkurt me 1.039 votues të regjistruar, zbuloi se 55 për qind e të anketuarve mendojnë se Musk ka pushtet të tepruar mbi vendimet kombëtare. Nga ana tjetër, 36 për qind besojnë se ai ka një nivel të përshtatshëm ndikimi ndërsa vetëm 3 për qind mendojnë se ai ka shumë pak ndikim.

Në mesin e të anketuarve demokratë, 96 për qind pajtohen se Musk ka pushtet të tepruar, krahasuar me 56 për qind të të pavarurve dhe vetëm 16 për qind të republikanëve.

Për më tepër, 1 për qind e demokratëve, 33 për qind e të pavarurve dhe 78 për qind e republikanëve besojnë se Musk ka një nivel të përshtatshëm pushteti. Ndërkohë, 4 për qind e të pavarurve dhe 1 për qind e republikanëve mendojnë se ai ka shumë pak ndikim.

Muajin e kaluar Trump caktoi Muskun për të udhëhequr Departamentin jozyrtar të Efikasitetit të Qeverisë me qëllimin e deklaruar për të eliminuar shpenzimet e panevojshme. Megjithatë, ajo ka rezultuar kontroverse në synimin për të shkarkuar një numër të madh punonjësish qeveritarë dhe për të eliminuar agjencitë të njohura, si dhe në sigurimin e aksesit në të dhënat e ndjeshme qeveritare mbi publikun me pak mbikëqyrje dhe pa autorizim të dukshëm.