Kryeministri Edi Rama ka mohuar çdo ndikim mbi SPAK, duke theksuar se vetëm “një njeri i ligë” mund të pretendojë se ai kontrollon drejtësinë. Gjatë bashkëbisedimit me ndjekësit në rubrikën “Sy m’sy”, Rama kritikoi arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, si një veprim i nxituar që lë kryeqytetin pa drejtim.

Ai gjithashtu kërkoi që drejtësia të trajtojë me urgjencë çështjen e 21 janarit, ku u vranë katër protestues: “Pse ka urgjencë për Veliajn, por jo për 21 janarin? Drejtësinë nuk e bën qeveria, por SPAK”.

Rama përfundoi duke theksuar se epoka kur kryeministri kontrollonte drejtësinë ka marrë fund: “Pllakën e varrit të ndërhyrjes politike në drejtësi ia vura unë me PS.”

“Nuk ka një akuzë me një të pandehur këto gërmimet mund të vazhdojnë nuk ka asnjë problem nuk ke pse e merr tjetrin në burg duke e lënë një kryeqytet të tërë pa kokë, krijon dyshimin se ka një shkelje të rëndë të balancës.

Bëjë punën tënde, por të bëjë dhe tjetri punën e vet nëse puna të nxjerr konkluzionin që tjetri të shkojë në burg askush se diskuton këtë gjë, është shumë herët në përfundime, të hedhësh gjithandej mish që të turren e gjithë qenëria e kënetës politike dhe mediatike, çfarë kuptimi ka në fund për dikë që degjenerohet dhe në fund del i pafajshëm, pse bota demokratike janë budallenj, pse bëjnë ndjekje në gjendje të lirë.

Ça më kërkoni mua 11 janarin, duhet të jesh idiot apo ligësirë me dy këmbë që të vijosh të thash që SPAK e kontrollon Edi Rama apo SPAK bën një politikë të caktuar në kuptimin e vendimmarrjeve por nuk është vegël e askujt, është shumë e qartë, kërkojini SPAK për 21 janarin, jo mua.

Nuk ikën 21 janari pa u ndëshkuar por s’ jam unë që e bëj ndëshkimin, kjo është një çështje që vonon por në fund nuk harron.

Urgjencë e madhe për të paraburgosur kryebashkiakun e Tiranës, po pse s’ka urgjencë për 21 janarin për një krim monstruoz, janë vrarë 4 njerëz, kur vijnë ata familje këtu s’di ça t’u them, do e bëjë qeveria drejtësinë?

Thoni çfarë të doni kjo është e vërteta historike.Ka vdekur koha kur kryeministri kontrollon drejtësinë, pllakën e varrit ia vura unë me PS”, tha ai.