Bora ka mbuluar disa pjesë të Stambollit, duke shkaktuar kaos në trafik, mësimi në shumicën e shkollave është pezulluar dhe qyteti ka aktivizuar një “plan reagimi ndaj fatkeqësive” që kërkon që të gjitha shërbimet të punojnë 24 orë në ditë.

Nën ndikimin e një cikloni të ftohtë nga Siberia, intensiteti i reshjeve do të rritet në orët e mbrëmjes, ndërsa bora do të vazhdojë të bjerë në Stamboll për tre ditët në vijim, njoftoi Agjencia Meteorologjike Turke.

Sipas mediave turke, edhe pse shërbimet e largimit të borës po punojnë me shpejtësi, vetëm rrugët kryesore janë pastruar, ndërsa qarkullimi po pengohet më tej nga makinat e ngecura në dëborë.

Kryebashkiaku i Stambollit Ekrem Imamoglu u bëri thirrje qytetarëve që të mos largohen nga shtëpitë e tyre nëse nuk është absolutisht e nevojshme.

Qyteti do të kujdeset edhe për të pastrehët dhe do t’i largojë nga reshjet e borës, tha Imamoglu, duke shtuar se është shtuar numri i ekipeve të emergjencës dhe do të jenë në shërbim të qytetarëve nëse kanë probleme me furnizimin me ujë, energji elektrike, ngrohje.

“Janë përforcuar edhe ekipet tona shëndetësore, veçanërisht shërbimet e urgjencës mjekësore”, theksoi kryebashkiaku i Stambollit, duke shtuar se po u bëjnë apel qytetarëve që të mos përdorin makinat e tyre sepse po e ngadalësojnë edhe më shumë trafikun dhe nëse detyrohen të shkojnë diku me automjetin e tyre, duhet të vendosin goma dimërore dhe zinxhirë.