INSTALOHET STACIONI I RI I KOMPRESORIT NË QENDRËN KLINIKE NË SHKUP

Pas instalimit në fund të muajit të kaluar, sot zyrtarisht është vënë në funksion stacioni i ri i kompresorit për klinikat kirurgjikale të Qendrës Klinike “Nënë Tereza” në Shkup, bëri të ditur Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari.

Ai shtoi se nëse është e nevojshme, klinika të tjera mund t’i bashkohen stacionit duke lidhur instalimin.

”Stacioni kompresor tashmë funksionon dhe e lëshuam në përdorim për 18 klinika në Qendrën Klinike dhe për klinikat në ORL, Oftalmologji dhe Kirurgji Maksilofaciale. Nuk është që vetëm është instaluar stacioni i ri por e kemi edhe kompresorin e vjetër e cila do të qëndroj si bekap evetualisht nëse nuk funksionon i riu menjëherë mund ta kyqim kompresorin e vjetër” – tha Taravari.

Sallat e Kirurgjisë në Qendrën Klinike u mbyllën më 22 maj të vitit të kaluar për shkak të erës së keqe që përhapej nga rrjeti i shpërndarjes së oksigjenit. Taravari njoftoi se ky sistem është testuar për 10 ditë, dhe nga sot do të shfrytëzohet.

“Kemi tre kompresorë të rinj, një instalim krejtësisht i ri, Sistemi i plotë është testuar për 10 ditë, është duke funksionuar ashtu siç duhet dhe nga sot është zyrtarisht në përdorim” – tha Taravari.

Para kësaj, sallat e operacionit funksionuan me kapacitet të reduktuar dhe funksionuan me kompresorë të jashtëm. Operacione më të vështira janë kryer në Spitalin e Përgjithshëm “8 Shtatori”.