The Guardian: Qeveria e re e Kosovës të jetë më pak e nxitur nga nacionalizmi i Kurtit “ti je me ne ose kundër nesh”!
Gazeta më e madhe dhe më prestigjioze britanike “The Guardian” ka dalë me një qëndrim editorial lidhur me zgjedhjet e 9 shkurtit dhe rezultatin që prodhuan ato. Duke marrë parasysh kontekstin e ri të gjeopolitikës, raportet e Kosovës me SHBA dhe sanksionet e BE-së, në këtë OP-ED të “The Guardian” sugjerohet që një Qeveri e re që mund të dalë nga një koalicion, të jetë më pragmatike dhe më bashkëpunuese.
Gazeta britanike ka përmendur gjithashtu edhe fushatën e partive kryesore të opozitës të cilat kanë përmendur si shqetësim rrezikun për izolimin e Kosovës dhe nevojën për përmirësimin e raporteve me aleatët perëndimorë.
“Nëse administrata e re e Kurtit mund të lëvizë përtej retorikës ndonjëherë të ashpër nacionaliste dhe të rikthejë Brukselin dhe Uashingtonin, kjo do të jetë jashtëzakonisht në interesin e Kosovës”, thuhet në këtë shkrim editorial të The Guardian.
Tutje “The Guardian” shkruan edhe për nevojën e implementimit të Marrëveshjes së Normalizimit që është arritur në vitin 2023 dhe për pasjen e një qasje të guximshme dhe bujare të BE-së në raport me Kosovën, si një shtet i vogël, i cenueshëm, që përballet me një fqinj ngacmues e agresiv si Serbia.
Në fund, “The Guardian” flet për mundësinë e re që krijojnë emrat e rinj që janë vendosur në krye të institucioneve të BE-së, sikurse shefja e re e Politikës së Jashtme, Kaja Kallas, emisari i ri Peter Sorensen dhe emisarja britanike, Karen Pierce.
“Kjo ofron mundësinë për një fillim të ri në lidhje me një vend që ka krijuar një demokraci që funksionon mirë në kontekstet më sfiduese.”, shkruan “The Guardian”.
Në fund, Gazeta e madhe britanike thotë se “Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të jetë më pragmatike dhe më pak e nxitur nga nacionalizmi “ti je me ne ose kundër nesh” i zotit Kurti”, duke kërkuar gjithashtu nga Perëndimi që të bëjë më shumë për gjetjen e një zgjidhjeje.