Sipas një burimi ukrainas, Volodymyr Zelensky nuk është gati të pranojë një marrëveshje për mineralet me SHBA-në pasi Ukraina sheh një “një numër çështjesh problematike” me projekt-marrëveshjen.
Bëhet e ditur se Donald Trump kishte deklaruar se një marrëveshje ishte afër, por një burim me njohuri për negociatat tha se presidenti ukrainas nuk është gati të nënshkruajë.
Udhëheqësi amerikan ka kërkuar nga Ukraina akses në burimet natyerore të vendit në këmbim të armëve, shkruan skynews.
“Marrëveshja nuk është ende gati për t’u nënshkruar, ka një sërë çështjesh problematike dhe në formën aktuale të draftit, presidenti nuk është gati ta pranojë atë”, tha burimi.
“Sot, draftet nuk pasqyrojnë një partneritet në marrëveshje dhe përmbajnë vetëm angazhime të njëanshme nga Ukraina”, shtoi ai.
Nga ana e SHBA-së, këshilltari amerikan i sigurisë kombëtare, Mike Waltz tha këtë javë se një marrëveshje do të bëhej.
“Këtu është fundi, Zelensky do të nënshkruajë atë marrëveshje dhe ju do ta shihni këtë në një afat shumë të shkurtër”, tha Waltz.
Ndryshe, këto komente vijnë pasi Trump e quajti Zelenskyn diktator.
Ndër tjera, Ukraina u përjashtua nga bisedimet midis diplomatëve të lartë amerikanë dhe rusë në Riad në fillim të kësaj jave.