Trump i kërcënohet Hamasit: Të gjithë pengjet të lirohen deri të shtunën ose armëpushimi do të ndërpritet
![Trump i kërcënohet Hamasit: Të gjithë pengjet të lirohen deri të shtunën ose armëpushimi do të ndërpritet](https://www.tetovasot.com/wp-content/uploads/2025/02/Gaza-Trump.jpg)
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se nëse deri të shtunën në mesditë nuk lirohen të gjithë pengjet që mbahen nga grupi militant palestinez Hamas në Gaza, ai do të propozojë ndërprerjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit dhe do të lejojë që të “shpërthejë ferri”.
Duke folur për gazetarët në Zyrën Ovale, Trump gjithashtu tha se mund të ndalojë ndihmën për Jordaninë dhe Egjiptin nëse ata nuk pranojnë refugjatët palestinezë që po zhvendosen nga Gaza, raporton Reuters.
Zëdhënësi i Hamasit, Abu Obeida, deklaroi të hënën se grupi militant do të shtyjë lirimin e pengjeve izraelite, i planifikuar për të shtunën, pasi Izraeli ka shkelur kushtet e marrëveshjes për armëpushim.
Ai tha se lirimi i pengjeve do të “shtyhet deri në një njoftim të dytë, derisa okupatori të marrë përsipër dhe të përmbushë detyrimet e tij nga tre javët e fundit”.
Abu Obeida shtoi se Izraeli ka vonuar kthimin e banorëve të zhvendosur të Gazës në veri të enklavës dhe ka hapur zjarr ndaj tyre. Gjithashtu, sipas tij, Tel Avivi ka penguar rrjedhjen e ndihmave humanitare në Gaza.