Administrata e Trump-it i ofroi Ukrainës një draft-marrëveshje të “përmirësuar” për mineralet, pasi presidenti Volodymyr Zelensky e zemëroi presidentin amerikan Donald Trump duke refuzuar ofertën e tij fillestare, thanë për Axios një zyrtar ukrainas, një zyrtar amerikan dhe tre burime të njohura me këtë çështje.

Mosmarrëveshja mbi mineralet shkaktoi një krizë më të gjerë në marrëdhëniet dypalëshe këtë javë. Trump e quajti Zelenskyn diktator që zgjodhi luftën me Rusinë, ndërsa Zelensky e akuzoi Trump-in se beson në dezinformatat ruse.

Burime nga të dyja palët tani thonë se një marrëveshje është më e mundshme. Një burim i njohur me çështjen tha për Axios se disa ndihmës e kanë inkurajuar Zelenskyn të nënshkruajë propozimin e përditësuar për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm me Trump-in dhe për t’i dhënë atij një justifikim për të mbështetur Ukrainën.
“Ka një përmirësim të ndjeshëm në draftin e fundit dhe ai është në përputhje me ligjin ukrainas,” tha burimi.

Këshilltari për sigurinë kombëtare i Trump-it, Mike Voltz, u tha dje gazetarëve se Zelensky duhet “të kthehet në tryezën e bisedimeve” për çështjen e mineraleve.
“Këto janë negociata. Dhe në negociata, ju negocioni. Ukraina dëshiron të negociojë për mineralet, prandaj për këtë po flasim,” tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

Ukraina është e pasur me rezerva të konsiderueshme të mineraleve të rralla, të cilat janë jetike për teknologjitë më të avancuara. Vlera totale e tyre mund të llogaritet në triliona dollarë.

Marrëveshja për mineralet nuk është e lidhur drejtpërdrejt me ndonjë zgjidhje për përfundimin e luftës në Ukrainë, por të dyja çështjet u ndërlidhën në mënyrë dramatike këtë javë. Ideja për një partneritet ekonomik mes Ukrainës dhe SHBA-së u ngrit fillimisht nga Zelensky në shtatorin e kaluar, gjatë një takimi me Trump-in në Nju Jork.

Javën e kaluar, tre orë para se Sekretari Amerikan i Thesarit, Scott Besent, të mbërrinte për një takim me Zelenskyn në Kiev, ambasadori amerikan i dorëzoi draftin e marrëveshjes për bashkëpunimin në nxjerrjen e mineraleve.

Drafti parashikon që SHBA-ja të marrë 50% të mineraleve, që marrëveshja të jetë nën juridiksionin e një gjykate në Nju Jork dhe të zëvendësojë çdo marrëveshje tjetër tregtare të Ukrainës, sipas dy burimeve që e kanë lexuar versionin fillestar.

Gjatë takimit, Besent i tha Zelenskyt se Trump-i këmbëngul që ai ta nënshkruajë menjëherë marrëveshjen. Zelensky u përgjigj se nuk mund të nënshkruante një dokument që sapo e kishte marrë në dorë.

Ukrainasit ishin gjithashtu të zhgënjyer që drafti amerikan nuk përfshinte asnjë garanci sigurie për Ukrainën dhe se kjo marrëveshje po u imponohej në një kohë kur Ukraina ishte e përjashtuar nga negociatat SHBA-Rusi për të ardhmen e saj.