Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka ritheksuar një vizion në të cilin SHBA do të merrte Gazën, pasi zyrtarët në administratën e tij dukej se kundërshtonin komentet e tij të mëparshme.
“Rripi i Gazës do t’i dorëzohet Shteteve të Bashkuara nga Izraeli në përfundim të luftimeve”, tha Trump.
Ai përsëriti se ideja do të nënkuptonte rivendosjen e palestinezëve dhe se nuk do të nevojiteshin ushtarë amerikanë.
Bëhet e ditur se ideja e zhvendosjes së Trumpit ka nxitur akuza se ai po planifikon spastrim etnik.
Pas komenteve të para të Trumpit për këtë çështje, zyrtarët e tij sugjeruan se çdo zhvendosje do të ishte vetëm e përkohshme.
Ndërsa sipas planit të tij, shkroi Trump në Truth Social, banorët e Gazës “do të ishin vendosur tashmë në komunitete shumë më të sigurta dhe më të bukura, me shtëpi të reja dhe moderne, në rajon”.
SHBA-të më pas do të ishin pjesë e një përpjekjeje për të rizhvilluar enklavën.
Por, postimi i tij nuk e bëri të qartë nëse dy milionë banorët e territorit palestinez do të ftoheshin të ktheheshin.
Sipas ligjit ndërkombëtar, përpjekjet për të transferuar me forcë popullsi nga territori i pushtuar janë rreptësisht të ndaluara.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt tha se çdo zhvendosje do të ishte e përkohshme.
Por, kur Trump propozoi zhvillimin e Gazës në “Rivierën e Lindjes së Mesme”, ai sugjeroi që zhvendosja e palestinezëve do të ishte e përhershme.
“SHBA do të marrë Rripin e Gazës dhe ne gjithashtu do të bëjmë një punë me të”, tha ai gjatë një konference të përbashkët shtypi me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.