Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se shpreson që marrëveshja e parë për mineralet me SHBA-në do të çojë në marrëveshje të tjera, por konfirmoi se ende nuk janë arritur garanci të sigurisë. Ai e ka përshkruar deri tani marrëveshjen si “marrëveshje kornizë”.

Zelensky përmendi një fond të përbashkët në të cilin do të investohen 50% e të ardhurave nga burimet natyrore të Ukrainës, por shtoi se “është ende herët për të folur për para.”

“Doja që marrëveshja të kishte një klauzolë për garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe është e rëndësishme që kjo të jetë aty,” tha ai.

Zelensky gjithashtu komentoi kërkesat e mëparshme të Donald Trumpit që Ukraina të kthejë miliarda dollarë ndihmë ushtarake, duke thënë: “Nuk do të kthejmë as 10 qindarka.”

Ai njoftoi gjithashtu se, nëse viziton Shtëpinë e Bardhë të premten, do të pyesë “shumë drejtpërdrejt” nëse SHBA do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën apo jo.

Kur u pyet nga BBC nëse Ukraina do të tërhiqet nga marrëveshja nëse nuk merr garanci sigurie nga Trump, Zelensky përgjigji: “Dua të gjej një rrugë për në NATO ose diçka të ngjashme,” duke shtuar: “Nëse nuk marrim garanci sigurie, nuk do të kemi armëpushim, asgjë nuk do të funksionojë, asgjë.”