Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka konfirmuar se do ta presë homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelenskyn, në Uashington të premten, mes negociatave për një marrëveshje që do t’i japë Shteteve të Bashkuara qasje në mineralet e rralla të Ukrainës.

“Presidenti Zelensky do të vijë të premten, kjo tani është e konfirmuar”, tha Trump të mërkurën, në mbledhjen e parë të kabinetit të tij, kur e cilësoi marrëveshjen si “një marrëveshje shumë të madhe.”

Presidenti republikan është ankuar prej kohësh se Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar shumë para të taksapaguesve për të mbështetur Ukrainën në luftën me Rusinë, e cila filloi kur Kremlini pushtoi Ukrainën tre vjet më parë.

Trump e ka paraqitur këtë marrëveshje të re, që do t’i japë SHBA-së qasje në të ashtuquajturat depozita të mineraleve të rralla në Ukrainë, si një mundësi që Kievi të kompensojë ndihmën që SHBA-ja ka dhënë tashmë për përpjekjet e luftës gjatë administratës së mëparshme të presidentit demokrat, Joe Biden.

“Administrata e mëparshme na vuri në një pozitë shumë të keqe, por ne kemi arritur të bëjmë një marrëveshje ku do t’i marrim mbrapsht paratë dhe do të marrim shumë para në të ardhmen”, tha Trump.

Zelensky tha, në një konferencë për shtyp më herët të mërkurën, se ishte arritur një kornizë për një marrëveshje ekonomike, por që ende nuk përfshinte garanci sigurie nga SHBA, të cilat vendi i tij i sheh si jetike.

“Ukraina duhet të dijë më parë se ku qëndron SHBA-ja në lidhje me mbështetjen e saj të vazhdueshme ushtarake”, tha ai, duke shtuar se priste një bisedë gjithëpërfshirëse me Trumpin.

Marrëveshja ekonomike “mund të jetë pjesë e garancive të ardhshme të sigurisë, por unë dua të kuptoj vizionin më të gjerë. Çfarë e pret Ukrainën?”, shtoi Zelensky.

Marrëveshja, një kopje të së cilës e ka siguruar Radio Evropa e Lirë, nuk adreson disa pyetje kyçe dhe lë shumicën e detajeve për t’u qartësuar përmes një marrëveshjeje të ardhshme.

Ajo nuk përmban garanci specifike të sigurisë nga SHBA-ja për Ukrainën, një kërkesë kyçe nga Kievi. Marrëveshja gjithashtu nuk përcakton nëse Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë furnizimin me pajisje ushtarake dhe municione për Ukrainën.

Pikat Kryesore

Asnjë garanci sigurie: Marrëveshja mbështet përpjekjet e Ukrainës për të siguruar garanci sigurie, por nuk i ofron ato.
Zhvillimi i burimeve: Ukraina dhe SHBA-ja do të zhvillojnë bashkërisht burimet natyrore të Ukrainës, duke përfshirë mineralet, naftën dhe gazin.
Fondi i rindërtimit: Një fond i përbashkët do të marrë 50 për qind të të ardhurave nga burimet shtetërore të Ukrainës.
Riinvestimi: Fitimet e fondit do të riinvestohen “të paktën çdo vit” për rimëkëmbjen ekonomike të Ukrainës.
Detaje të pahartuara: Aspektet e qeverisjes dhe pronësisë do të negociohen më vonë.

Teksti i marrëveshjes fillon duke theksuar se Uashingtoni “ka ofruar mbështetje të konsiderueshme financiare dhe materiale për Ukrainën që nga pushtimi i plotë i Rusisë”.

Megjithatë, nuk përmendet kërkesa e mëparshme e Uashingtonit për të drejtën mbi 500 miliardë dollarë të ardhura të mundshme nga qasja në pasuritë minerale të Ukrainës, që ishte përfshirë në një draft të mëparshëm të marrëveshjes.

Kjo ishte një pikë që Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e kishte cilësuar në mënyrë të përsëritur si të papranueshme.

Asnjë Garanci Sigurie për Ukrainën
Marrëveshja nuk përfshin angazhime të qarta të sigurisë nga SHBA-ja. Megjithatë, thuhet se Shtetet e Bashkuara “mbështesin përpjekjet e Ukrainës për të marrë garanci sigurie”.

Gjithashtu, theksohet se Uashingtoni “do të mbajë një angazhim afatgjatë financiar për zhvillimin e një Ukraine të qëndrueshme dhe ekonomikisht të begatë”.

Përtej këtyre deklaratave të përgjithshme, pjesa kryesore e marrëveshjes lidhet me krijimin e një Fondi të Përbashkët të Investimeve për Rindërtim. Ukraina ka rënë dakord të vendosë 50 për qind të të ardhurave nga burimet e saj natyrore në pronësi shtetërore në këtë fond.

Kjo përfshin pasuri minerale, naftë dhe gaz, si dhe të ardhura të lidhura me terminalet e gazit të lëngshëm (LNG).

Në mënyrë eksplicite thuhet se “burimet e ardhshme të të ardhurave nuk përfshijnë burimet ekzistuese të të ardhurave që tashmë janë pjesë e të ardhurave të përgjithshme buxhetore të Ukrainës”.

Paratë nga ky fond do të riinvestohen në Ukrainë “të paktën çdo vit.”

Pyetje të Paadresuara
Ka ende shumë pyetje pa përgjigje. Marrëveshja përcakton se këto çështje do të trajtohen në një marrëveshje të ardhshme, për të cilën grupet e punës do të fillojnë negociatat “pa vonesë”.

Një ndër çështjet kryesore është si do të ndahet pronësia e përbashkët e fondit, duke sugjeruar se mund të mos jetë një ndarje e thjeshtë 50-50. Detajet mbi “qeverisjen dhe funksionimin” e fondit gjithashtu mbeten për t’u përcaktuar.

Marrëveshja thekson se asnjëra palë nuk mund të “shesë, transferojë ose tjetërsojë” ndonjë pjesë të fondit pa miratimin e palës tjetër. Me fjalë të tjera, asnjëra palë nuk mund të tërhiqet në mënyrë të njëanshme.

Marrëveshja thuhet se duhet të miratohet nga parlamenti i Ukrainës, Verkhovna Rada, por nuk përmend miratimin nga Kongresi i SHBA-së.

Deputeti ukrainas Bohdan Kytsak, nga partia në pushtet e Zelenskyt, Shërbëtori i Popullit, i tha shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë se marrëveshja paraqet përfitime të mundshme për ekonominë.

“Kjo kërkon një numër të madh specialistësh, kërkime shkencore dhe shfaqjen e teknologjive të reja,” tha ai, duke shtuar se investimi amerikan mund të krijojë një “ekonomi të re”.

Një ish-këshilltar ekonomik i Zelensky-t, Oleh Ustenko, i tha REL-it se “simbolizmi luan një rol më të madh këtu sesa çështjet financiare dhe ekonomike.”

Për presidentin e SHBA-së, Donald Trump, kjo mund të përfaqësojë një fitore politike. Ai ka bërë përpjekje të mëdha për këtë marrëveshje dhe tani e ka siguruar.

Për Zelenskyn, një betejë e re e pret për detajet e marrëveshjes. Për momentin, marrëveshja mund të lehtësojë një përçarje të ashpër dhe publike që u krijua pasi Trumpi e quajti Zelenskyn “diktator”./REL