Presidenti i SHBA Donald Trump deklaroi se pret që Elon Musk të gjejë qindra miliarda dollarë mashtrime dhe abuzime në Pentagon, gjatë një auditimi që do të drejtojë miliarderi.
“Do t’i them shumë shpejt, ndoshta pas 24 orësh të shkojë të kontrollojë Departamentin e Arsimit. Pastaj do të shkoj në ushtri. Le të kontrollojmë ushtrinë,” tha Trump në një intervistë për Super Bowl në median amerikane, një fragment i së cilës u transmetua të dielën në mëngjes.
Buxheti i Pentagonit po i afrohet 1 trilion dollarëve në vit. Në dhjetor, presidenti i atëhershëm Joe Biden nënshkroi një projektligj që autorizonte 895 miliardë dollarë shpenzime për mbrojtjen për vitin fiskal që përfundon më 30 shtator.
Musk për të cilin Shtëpia e Bardhë thotë se është një punonjës i posaçëm i qeverisë, është ngarkuar nga presidenti amerikan për të udhëhequr fuqinë punëtore federale të SHBA.
Si pjesë e kësaj nisme, ndihmësit e Musk kanë kërkuar qasje në informacione konfidenciale në sistemet kompjuterike në agjenci të ndryshme qeveritare.
Kritikët theksojnë se përpjekjet janë të mundshme të paligjshme, rrezikojnë ekspozimin e informacionit të klasifikuar dhe në praktikë po shkatërrojnë shumë agjenci pa miratimin e Kongresit.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Mike Waltz sugjeroi në një intervistë të veçantë të dielën se proceset e ndërtimit të anijeve të Pentagonit, mund të jenë një zonë me interes të veçantë për Departamentin e Efikasitetit të Qeverisë .