“I kam kërkuar Ministrit të Brendshëm dhe Ministrit të Drejtësisë që të paraqesin një plan për një përgjigje urgjente ndaj krimit të organizuar dhe agresiv të kryer nga të huajt. Kushdo që viziton Poloninë, përfiton nga mikpritja jonë dhe shkel brutalisht ligjin, do të dëbohet nga Polonia,” tha ai në një konferencë të përbashkët për shtyp me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Ai përsëriti se Polonia, e cila ka pranuar mbi një milion refugjatë ukrainas që nga pushtimi rus në 2022, nuk do të pranojë emigrantë shtesë sipas paktit të migracionit të BE-së.

Tusk theksoi se për qeverinë polake çështja e sigurisë ka një dimension shumë praktik kur bëhet fjalë për mbrojtjen e kufirit lindor.

“Dhe meqenëse kufiri lindor i Polonisë është kufiri lindor i Bashkimit Evropian, jam mirënjohës që morëm këtë konfirmim sot se detyrimet që dalin nga mbrojtja e këtij kufiri do të trajtohen si të përbashkëta. Jo polake, por evropiane”, tha ai.

Von der Leyen theksoi se BE-ja po merr parasysh që Polonia ka pranuar numrin më të madh të refugjatëve nga Ukraina, duke theksuar se ka tre aspekte të çështjes së migracionit.

“Para së gjithash, Polonia ka treguar dhe vazhdon të tregojë solidaritet të jashtëzakonshëm me Ukrainën. Ajo ka pranuar numrin më të madh të refugjatëve nga Ukraina dhe i ka pritur ata për gati tre vjet. Kjo absolutisht duhet të merret parasysh. Dhe Bashkimi Evropian do ta marrë parasysh këtë dhe do ta respektojë këtë solidaritet të jashtëzakonshëm dhe gjithë punën që Polonia ka bërë”, tha Presidentja e Komisionit Evropian.

Ajo tërhoqi vëmendjen për situatën specifike në kufirin lindor të Polonisë.

“Ky nuk është emigracion ilegal klasik, ky është instrumentalizimi i emigrantëve, duke i përdorur ata si armë për të ushtruar presion ndaj Polonisë. Kjo nuk është një çështje migrimi, kjo është një çështje e sigurisë kombëtare”, theksoi ajo.

Sipas saj, kjo përbën një sfidë sigurie jo vetëm për Poloninë, por edhe për të gjithë Evropën.