Trim Vokshi është liruar përfundimisht nga akuza për grabitje në tentativë.

Këtë vendim e ka marrë Gjykata e Apelit, e cila ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë për rastin ku Vokshi akuzohej për grabitje në tentativë në institucionin financiar “Ria Capital”.

Rastin për Kiks Kosova e ka konfirmuar familja e Trimit, duke thënë se Apeli e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, dhe si rrjedhojë është vërtetuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Gjakovë.

Vendimi i Apelit, sipas familjarëve të Trim Vokshit, thotë se ky i fundit nuk është kryerës i veprës penale për çka është akuzuar nga ana e Prokurorisë Themelore në Gjakovë.

Gjykata Themelore në Gjakovë, më 22 prill të vitit të kaluar, e kishte shpallur Vokshin të pafajshëm. Por, Prokuroria Themelore në Gjakovë kishte paraqitur ankesë ndaj këtij vendimi, ankesë e cila tashmë është hedhur poshtë.

Për rastin e Trim Vokshit ka raportuar emisioni investigativ Kiks Kosova. Madje, kishin qenë pikërisht dëshmitë e prezantuara në emision ato që bënë i pandehuri të lirohej dhe që rasti i tij të kthehej në pikën zero