Skuadra zvicerane e kategorisë së tretë, FC Granges-Paccot ka konfirmuar vdekjen e rëndë të Jakov Jelkic, pasi ishte raportuar i zhdukur ditë më parë.

24-vjeçari ishte me shokët e skuadrës në Alicante dhe thuhet se u zhduk pasi u largua nga një klub nate. U raportua se ai po festonte me shokët e skuadrës pasi fluturoi në Spanjë për një turne.

Jelkic, thuhet se është parë duke dalë nga një lokal nate. Më pas ai nuk ishte kthyer në hotelin ku qëndronte, me stafin që e raportoi atë të zhdukur dhe familja e Jelkic bëri një apel të dëshpëruar në mediat sociale për ta gjetur atë.

Por policia ka konfirmuar tani se trupi i tij u tërhoq nga ujërat e portit Alicante të hënën në mbrëmje rreth orës 17:30, me vdekjen e tij të konsideruar aksidentale. Dhe klubi i Jelkic tani ka bërë një reagim në rrjetet sociale.

Duke shkruar në Instagram, FC Granges-Paccot tha: “Me pikëllim të madh mësuam për vdekjen e Jakovit. Të gjitha mendimet tona shkojnë te familja e tij, miqtë, shokët e skuadrës dhe të gjithë njerëzit që e njihnin nga afër”.

“Kujtimi i tij do të mbetet përgjithmonë i gdhendur në zemrat tona. Një mik, një shok ekipi, një frymëzim për të gjithë ne. Pusho në paqe”.

Homazhet filluan të vërshojnë pas shpalljes. Skuadra tjetër zvicerane FC Schoenberg po ashtu reagoi: “Të dashur miq të FC Granges-Paccot, mësuam me pikëllim të madh vdekjen e lojtarit tuaj. Në këto momente të vështira, FC Schoenberg dëshiron t’ju dërgojë juve dhe familjes dhe të afërmve të tij ngushëllimet tona më të thella. Futbolli krijon lidhje të forta përtej fushës dhe sot ne ndajmë dhimbjen tuaj”.

Edhe fansat dhanë mesazhin e tyre të mbështetjes. Njëri shkroi: “Përgjithmonë në zemrat tona. Ngushëllime gjithë familjes, miqve dhe ekipit”, ndërsa një tjetër tha: “Në mbështetje të familjes, lojtarëve dhe të gjithë të afërmve të tij, gjithë ngushëllimet e mia”.

Jelkic kishte shënuar një gol për klubin deri më tani këtë sezon. Granges-Paccot aktualisht është i gjashti në kategorinë e tretë zvicerane pas 11 ndeshjeve të sezonit. Ata kanë fituar katër ndeshje deri më tani këtë sezon.