Zbardhet plani me tre faza i paqes SHBA-Rusi! Rubio telefonon ministrat europianë, revoltohet Zelensky

Pas samitit që u mbajt në Riad të martën, ku delegacionet amerikane dhe ruse, të kryesuara nga sekretari i shtetit Marco Rubio dhe ministri i jashtëm Sergey Lavrov, diskutuan për një marrëveshje të mundshme paqeje, mediat zbuluan akordin paraprak që përfshin tre faza kryesore: armëpushimin, zhvillimin e zgjedhjeve dhe përfundimin e marrëveshjes paqësore.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, njoftoi se Evropa do të jetë gjithashtu një pjesë e rëndësishme e këtij procesi dhe do të jetë e pranishme në tryezën e negociatave. Rubio gjithashtu zhvilloi një telefonatë me ministrat e jashtëm të Italisë, Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Kaja Kallas.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se Rusia do të bëjë çmos që të bindë Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme, duke theksuar nevojën për të përdorur presion në mënyrë që ai t’i “thërrasë arsyes”. “Nevojitet një thupër nga duart që Zelensky të reflektojë si duhet”, tha ndër të tjera Lavrov. Ndërkohë, Presidenti ukrainas reagoi duke thënë se është e padrejtë që të flitet për paqe në Ukrainë pa përfshirë Ukrainën në tryezën e negociatave. “Vendimet që merren pas shpine nuk do t’i njohim”, deklaroi ai nga Turqia, ku u takua me homologun Erdogan.
SHBA-të synojnë të arrijnë një armëpushim deri në Pashkë, ndërsa presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi në Bruksel se BE-ja është një aleat i fuqishëm për Ukrainën, dhe se Europa ka bërë më shumë se kushdo tjetër për të mbështetur Kievin gjatë kësaj periudhe të vështirë.
Për takimin në Riad reagoi edhe Presidenti Emmanuel Macron theksoi se Donald Trump mund të rifillonte një dialog konstruktiv me Presidentin rus Vladimir Putin, ndërsa siguroi se Franca nuk po përgatitet të dërgojë trupa tokësore luftarake në Ukrainë.
I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ukrainën dhe Rusinë, Keith Kellogg, pritet të vizitojë Ukrainën këtë javë. Ai do të zhvillojë takime me zyrtarët ukrainas, për të diskutuar hapat e mëtejshëm të mundshëm për një marrëveshje paqeje.