Volodymyr Zelensky ka anuluar vizitën e tij në Arabinë Saudite për të mos i dhënë legjitimitet takimit SHBA-Rusi, thanë dy burime të mirëinformuara për „Reuters“.
Presidenti ukrainas kishte planifikuar të vizitonte Riadin sot, një ditë pasi atje u takuan delegacione të larta të SHBA-së dhe Rusisë për të diskutuar për përmirësimin e marrëdhënieve bilaterale dhe për fillimin e bisedimeve paqësore për Ukrainën. Zelensky nga Ankara njoftoi se do ta shtyjë vizitën deri më 10 mars „për të shmangur çdo përputhje“.
„Ukraina nuk donte të shfaqej në Riad për të mos i dhënë legjitimitet asaj që ndodhi atje“, tha një burim.
Zelensky tha në Ankara se nuk ishte ftuar në takimin në Riad, ku ishin ministrat e Jashtëm të SHBA-së dhe Rusisë, Marko Rubio dhe Sergey Lavrov.
„Ne nuk duam që dikush të vendosë për ndonjë gjë pas shpine tonë. Pa Ukrainën, nuk mund të merret një vendim se si të përfundojë lufta në Ukrainë“, tha Zelensky.
Donald Trump ka shtuar presion për të filluar sa më shpejt bisedimet paqësore dhe për të përfunduar shpejt luftën, por ende nuk është e qartë se çfarë ka planifikuar. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pit Hegset, tha se Ukraina nuk duhet të presë anëtarësim në NATO dhe rikthim në kufijtë e saj të dikurshëm.