Duke folur në ditën e dytë të Konferencës së Sigurisë së Munihut, presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky tha se Ukraina “nuk do të pranonte kurrë marrëveshjet e bëra pas shpine pa përfshirjen tonë” pasi presidenti i SHBA Donald Trump dhe ai rus Vladimir Putin ranë dakord për të filluar bisedimet e paqes

“Ukraina nuk do të pranojë kurrë marrëveshjet e bëra pas shpine pa përfshirjen tonë. I njëjti rregull duhet të vlejë për të gjithë Evropën. Asnjë vendim për Ukrainën pa Ukrainën – asnjë vendim për Evropën pa Evropën. Ne duhet të veprojmë si Evropë, jo si disa popuj të ndarë”, tha Volodomyr Zelenski, President i Ukrainës.

Zelensky bëri thirrje për krijimin e një ushtrie të bashkuar evropiane, duke thënë se kontinenti evropian duhet patjetër vetëmbrohet ndaj kërcënimeve të vazhdueshme nga Rusia, si dhe për shkak të paqartësisë në lidhje me mbështetjen nga Shtetet e Bashkuara.

“Shumë liderë kanë folur për Evropën që ka nevojë për ushtrinë saj – një ushtri të Evropës. Dhe unë vërtet besoj se ka ardhur koha: duhet të krijohen forcat e armatosura të Evropës. Pa ushtrinë e Ukrainës, ushtritë e Evropës nuk do të mjaftojnë për të ndalur Rusinë, ky është realitet për sot. Vetëm ushtria jonë në Evropë ka përvojë reale moderne në fushën e betejës. Por vetëm ushtria jonë nuk mjafton. Dhe ne kemi nevojë për atë që ju mund të siguroni: armë, stërvitje, sanksione, financime, presion politik dhe unitet”, shtoi ai.

Zelensky i mbajti fjalimin një ditë pasi u takua me zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë nënpresidentin Vance, i cili theksoi nevojën për “paqe të qëndrueshme dhe të përhershme” në Ukrainë. Zelensky i tha nënpresidentit Vance se Ukraina dëshiron “garanci sigurie” nga Uashingtoni para fillimit të bisedimeve me Rusinë për t’i dhënë fund luftës gati trevjeçare.

SHBA kanë dërguar sinjale të përziera për strategjinë e tyre, duke nxitur shqetësime në Kiev se Ukraina mund të detyrohet ta pranojë një marrëveshje të keqe, e cila do t’i jepte guxim Putinit. Ukraina kërkon që Rusia të tërhiqet nga territoret e pushtuara dhe thotë se duhet të anëtarësohet në NATO ose të marrë garanci për sigurinë e saj për të parandaluar një tjetër sulm nga Moska.