Nga 1280 kandidatë për deputetë që do të kërkojnë votën më 9 shkurt, 23 prej tyre kanë problem ligjore. 16 prej tyre përballen me aktakuza aktive, ndërsa tetë kanë dënime të formës së prerë, përfshirë edhe kryeministrin aktual Albin Kurti.

Këto janë të gjeturat e raportit “Integriteti i kandidatëve, sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë” që është hartuar nga organizatat Fol, IKD dhe INPO.

“Lëvizja Vetëvendosje ka gjithsej 14 kandidatë apo 12 për qind e listës së kësaj partie ka probleme me ligjin. Koalicioni AAK-NISMA ka 8 kandidatë ose 7.27% dhe LDK me një kandidat. Nga gjithsej 23 kandidatë që kanë probleme me ligjin 16 prej tyre janë duke u përball me aktakuza aktive, ndërsa 8 kandidatë janë të dënuar për vepra penale”, tha për A2 CNN, Burbbuqe Kastrati nga Lëvizja “FOL”.

Pavarësisht kësaj të dhëne, ligji nuk ua ndalon këtyre 23 kandidatëve që të marrin pjesë në zgjedhje. Mirëpo theksohet rëndësia që në Kuvend përfaqësuesit e popullit të jenë të.

Një individi i ndalohet të garojë në zgjedhje nëse është i dënuar me vendim të formës së prerë të gjykatës në tre vitet e fundit për vepër penale ose nëse ka mbajtur një ose më shumë burg efektiv.

“Llojet e veprave penale përfshijnë ‘përdorimin e armës apo mjetit të rrezikshëm’ me gjithsej 9 raste, ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ në 6 raste, ‘mbajtja e paautorizuar e armëve’ me 5 raste dhe ‘pengimi i personit zyrtar’ dhe ‘sulm dhe ndaj personit zyrtar’ me secilin nga një rast”, shtoi Kastrati.

Në lidhje me programin e partive politike për drejtësinë, raporti gjen dallime të mëdha në qasjen dhe seriozitetin e tyre. Po ashtu, partitë kritikohen se nuk i referohen fare Strategjisë për Sundimin e Ligjit i miratuar në Kuvendin e Kosovës.

Partitë më të mëdha premtojnë edhe ngritjen e prokurorive dhe gjykatave të reja që do të merren me çështje të veçanta pa treguar arsyen e qartë se pse është e nevojshme ose nëse mund të mbulohen nga gjykatat aktuale.

Ndërsa tek partitë e tjera programi i tyre për drejtësinë konsiderohet shumë i përgjithshëm.

“Përmendin çështjen e reformave në sundimin e ligjit mirëpo e përmendin vetëm në sensin e përgjithshëm duke mos dhënë detaje se si duken këto reforma dhe si do të ndikojnë këto reforma në rritjen e integritetit dhe efikasitet dhe efektivitetit të sistemit të drejtësisë”, tha për A2 CNN, Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Programet elektorale të partive kryesore adresojnë çështje si transparenca, qeverisja e mirë, administrate publike, barazia gjinore dhe të drejtat e njeriut, por shumica prej tyre nuk ofrojnë detaje të qarta mbi mekanizmat e zbatimit dhe burimet financiare të reformave të propozuara.