Kryetari i Lëvizjes Demokratike dhe zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, zhvilloi një takim të rëndësishëm me kongresmenin republikan nga Alabama, Robert Aderholt.

Në këtë takim miqësor, u diskutua për një sërë çështjesh kyçe që prekin marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me fokus në forcimin e bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve. Të dy palët u pajtuan se thellimi i këtyre marrëdhënieve duhet të jetë një prioritet i përbashkët.

Zëvendëskryeministri i parë Mexhiti rikonfirmoi qëndrimin e palëkundur të Maqedonisë së Veriut për integrimin evropian, duke theksuar se vendi mbetet një faktor stabiliteti në rajon. Ai vuri në dukje rëndësinë e aleancës me SHBA-në si një mbështetje jetike për zhvillimin dhe sigurinë e vendit.

“SHBA-ja është partneri ynë kryesor strategjik dhe mbështetja e saj e vazhdueshme mbetet një garanci për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut. Vlerësojmë angazhimin e fortë dhe mbipartiak të Shteteve të Bashkuara në mbështetje të rrugës sonë euroatlantike,” theksoi Mexhiti.

Kongresmeni Aderholt nga ana e tij konfirmoi përkushtimin e SHBA-së për forcimin e partneritetit me Maqedoninë e Veriut dhe mbështetjen për integrimin e saj në strukturat euroatlantike.