Me rastin e 24-vjetorit të fillimit të luftimeve të Brigadës 112 “Mujdin Aliu” në rajonin e Pollogut dhe Malësisë së Sharrit, Izet Mexhiti ka shprehur respektin dhe mirënjohjen e tij për sakrificën dhe heroizmin e atyre që luftuan për liri dhe barazi.

Në një mesazh përkujtimor, Mexhiti theksoi se kjo ditë mbetet një testament i guximit dhe vendosmërisë së një brezi që nuk pranoi të nëpërkëmbet.

“Ishte një pranverë sakrifice, një pranverë që vulosi me heroizëm ëndrrën për barazi dhe drejtësi. 14 marsi është më shumë se një datë në kalendar; është një testament i guximit dhe vendosmërisë së një brezi që nuk pranoi nëpërkëmbjen, por luftoi për një të ardhme të lirë,” – deklaroi ai.

Në kuadër të përkujtimit, po mbahet edhe manifestimi tradicional “Pranvera e Dinjitetit”, i cili, sipas Mexhitit, është më shumë se një ceremoni nderimi – është një amanet për të mos harruar dhe për të mos devijuar nga rruga e drejtësisë.

“Liria nuk është dhuratë, por një e drejtë e fituar me gjak. Është një thirrje për të mos harruar, për të mos u lëkundur dhe për të mos devijuar nga rruga e drejtë,” – shtoi ai, duke përmbyllur mesazhin e tij me fjalët: “Ta respektojmë të kaluarën, nderojmë dëshmorët, ndërtojmë të ardhmen!”

Ngjarjet përkujtimore në Tetovë dhe rrethinat e saj vazhdojnë, me pjesëmarrjen e familjarëve të dëshmorëve, ish-ushtarëve të UÇK-së dhe përfaqësuesve të institucioneve.