Punimet në magjistralen Kërçovë-Ohër janë duke u përshpejtuar ndjeshëm dhe tashmë në terren po vërehen aktivitete si vendosja e rrethojës mbrojtëse dhe vizatimi i sinjalistikës horizontale.

Ky projekt, i cili është pritur më shumë se një dekadë, së shpejti pjesërisht do të vihet në funksion, konfirmoi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikoloski.

“Fjala e dhënë u përmbush!” Pavarësisht sfidave të shumta, ne po punojmë në mënyrë aktive për t’i zgjidhur ato. Po përgatiten ndryshime ligjore që do të lehtësojnë ndërtimin e autostradës. Ato do të shqyrtohen në seancën e qeverisë dhe më pas në Kuvend. “Qëllimi ynë është që para fillimit të sezonit veror të vëmë në përdorim 40 kilometra të rrugës”, tha Nikoloski.

Seksioni që do të hapet përfshin rrugën nga fshati Vrbjani për në Ohër, me përjashtim të shtrirjes afër fshatit Botun, ku ka sfida me qëndrueshmërinë e shpateve.

Autostrada me gjatësi totale prej 57 kilometrash do të shkurtojë ndjeshëm kohën e udhëtimit ndërmjet Kërçovës dhe Ohrit.