Andrea Michelle Reyes ishte vetëm dyvjeçare kur nëna e rrëmbeu nga i ati në Connecticut dhe e çoi në Meksikë, ku ia kishte humbur gjurmët deri më tani.

Reyes u rrëmbye nga nëna e saj, Rosa Tenorio, në tetor të vitit 1999, sipas Departamentit të Policisë në New Haven, Konektikat. Tenorio nuk kishte kujdestari mbi vajzën, e cila në atë kohë ishte nën kujdesin e babait të saj.

Policia dhe FBI-ja lëshuan një urdhër arresti për Tenorion, e cila dyshohej se kishte ikur me vajzën e saj në Meksikë. Babai i Andreas kishte udhëtuar disa herë në Meksikë në përpjekje për ta gjetur, por pa sukses. Rasti i zhdukjes së Andreas u la në harresë deri në vitin 2023, kur një detektiv i policisë nisi përsëri hetimet për rrëmbimin, shkruan theguardian.

Duke përdorur një kombinim intervistash, kontrollesh dhe kërkimesh në rrjetet sociale, detektivi Kealyn Nivakoff zbuloi se Reyes jetonte në qytetin Puebla të Meksikës, i cili ka mbi një milion banorë.

Testet e avancuara të ADN-së konfirmuan lidhjen familjare mes Reyes dhe babait të saj, dhe ata më në fund u ribashkuan pas më shumë se dy dekadash.

“Gjatë gjithë këtyre viteve, babai i Andreas e kërkoi pa pushim, por nuk arriti kurrë ta gjente as atë dhe as nënën e saj”, thuhet në deklaratën e kompanisë së testimeve të ADN-së ‘Otram’, e cila mori pjesë në hetime.

Identifikimi i Reyes është pjesë e një nisme për zgjidhjen e mbi 500 rasteve të rrëmbimeve të të miturve nga Sistemi Kombëtar i Personave të Zhdukur dhe të Paidentifikuar.

“Megjithëse në shumë raste gjurmët nuk çojnë askund, asnjë çështje e tillë nuk mbyllet kurrë plotësisht. Jemi të përkushtuar për të zgjidhur secilin prej tyre, dhe ky është një shembull perfekt”, deklaroi policia e New Haven.

Reyes, e cila tani është 27 vjeç, është banore e Meksikës. Urdhri i arrestimit për Tenorion mbetet aktiv dhe i vlefshëm në SHBA, dhe policia beson se ajo ende ndodhet në Meksikë.