Ish-numri dy i qeverisë Rama dhe njëkohësisht dhe ish-besniku i kryeministrit, Arben Ahmetaj ka ardhur së fundmi me një tjetër intervistë ku dhe është ndalur te akuzat e pabaza të ngritura ndaj tij, te “thikat pas shpine” që ka “ngrënë” , ashtu si dhe ai i quan, nga ata që dikur i kishte kolegë dhe te kërcënimet që i janë bërë, duke mos “kursyer” as familjen e tij.

Ahmetaj kësaj here është “rrëfyer” për Vincent W.J. van Gerven Oie. Ndonëse ende Prokuroria e Posaçme nuk ka një akuzë zyrtare ndaj ish-zv.kryeministrit, megjithatë ai vazhdon të jetojë në mërgim, në Zvicër, i pasigurt se kur dhe në çfarë kushtet do të mund të kthehet në Shqipëri.

Duke e quajtur për të disatën herë si “politike” ndjekjen e tij penale, Ahmetaj ka treguar me detaje kërcënimet që kanë ardhur në adresën e tij dhe të familjarëve.

Ish-besniku i Ramës ka zbuluar se që prej vitit 2022, kohë kur dhe u shkarkua nga kryeministri Edi Rama, filloi përndjekja e tij. I frikësuar për jetën, Ahmetaj tha se u largua nga Shqipëria, pasi përpos për veten kishte dhe frikë për familjen e tij.

“Menjëherë pasi u shkarkova nga Kryeministri. Ishte shtator apo tetor 2022 kur filloi përndjekja. Pastaj largova familjen. Nuk u ktheva më në Shqipëri sepse kisha frikë për jetën time. Kisha frikë për jetën e familjes sime.

Nëse do të përfundoja në burg, jam i sigurt që nuk do dilja i gjallë nga andej. Duke ditur që jam pak emocional, ata do të kishin krijuar ndonjë incident në burg dhe do të thoshin: “Eh, që ta dini, ngaqë u grind, prandaj u vra”, ka thënë Ahmetaj, ndërkohë që në këtë intervistë është ndalur dhe te format e kërcënimeve që i janë bërë.

Sipas asaj që ish-zv.kryeministri dhe ish-ministri i Financave tha, përveçse se kërcënuesit kishin akses tek kamerat e pallatit në kryeqytet ku ai jetonte, ata kishin kërcënuar edhe dadon që partnerja e Ahmetaj kishte punësuar për tu kujdesur për fëmijën e tyre.

“Gruaja ime e tanishme kishte punësuar një dado filipinase dhe në një moment ajo po qante. Doli se ishte kërcënuar për të bërë foto e video të miat dhe të asaj që ndodhte në shtëpinë time dhe për t’ua dorëzuar këto njerëzve në një kompani të quajtur Emerald Spa. Atëhere u tmerrova vërtet”, tha Ahmetaj ndër të tjera.

Ndërkohë më tej i pyetur se kur mund të kthehet në Shqipëri, ai u përgjigj se është i gatshëm të prekë sërish tokën shqiptare atëhere kur sipas tij kryeministri Edi Rama të ketë humbur kontrollin mbi sistemin e drejtësisë.

“Mendoj për këtë çdo ditë. Kur ta kuptoj që Kryeministri ka humbur kontrollin e tij mbi drejtësinë, atëhere do të kthehesha—edhe në burg, nëse do të doni”, theksoi ish-zv.kryeministri.

Një pjesë nga intervista e Arben Ahmetajt:

E ke quajtur “politike” ndjekjen tënde penale për çështjen e inceneratorëve. E ke përshkruar atë si “terror politik”, ke folur për kërcënime ndaj teje dhe familjes tënde dhe je shprehur se ke frikë për jetën tënde. Kush janë ata që po të përndjekin dhe pse?

Le t’i ndajmë kërcënimet ndaj jetës sime dhe përndjekjen politike time dhe të familjes sime. Në intervistat e mia, i kam kërkuar SPAK-ut të më tregojë një firmë timen në të gjithë procedurën për inceneratorin e Tiranës. Nuk isha unë autoriteti kontraktor. U kam kërkuar të më tregojnë një përfitim nga paratë publike që familja ime ka marrë me firmën time ose me çfarëdo firme.

Kryeministri ka thënë publikisht: “Nëse do kisha bërë rolin e gjykatësit, gjërat do kishin qenë shumë më keq” për mua. Ai donte një kokë turku për të larguar vëmendjen nga vetja dhe nga ata që e kanë kryer këtë aferë, njerëz në rrethin e afërt të Kryeministrit. Ku është inceneratori i Tiranës? Ku janë paratë? Ndiqni paratë. Ka shumë transaksione aty dhe ka shumë njerëz të përfshirë.

Pra, në thelb, përndjekja ime politike dhe përndjekja e familjes sime është vepër e Kryeministrit. Dhe, fatkeqësisht, SPAK-u ka qenë më shumë i zellshëm për t’iu bindur Kryeministrit dhe për të prodhuar “statistika.”

Do të doja t’i kthehesha pak më vonë këtij naiviteti, por çfarë mund të më thuash për kërcënimet ndaj jetës tënde?

Kam marrë kërcënime personalisht. Së pari, një telefonatë direkte nga burgu, shumë e qartë: “Do të të vrasim. Të shohim nga kamerat kur parkon makinën, kur merr fëmijën”, etj. Ata kishin akses tek kamerat e pallatit në Tiranë ku kisha marrë një apartament me qira.

Kërcënimi i dytë ishte një telefonatë tjetër nga një numër britanik që nuk e njihja. Dhe i treti ishte një person me motor. Ishte si në një film mafioz. Po ecja në rrugë dhe ky person më afrohet: “Përshëndetje, Arben.” Unë i përgjigjem: “Përshëndetje, si je?” Dhe ai më thotë: “Pra, po ecën?” “Epo, kam ecur gjithë jetën time.” Dhe pastaj ai thotë: “Po, por aty do ta gjesh vdekjen.”

Pastaj ndodhi një incident te Parku i Liqenit të Tiranës, ku u përpoqën të bënin një foto të foshnjës sime të sapolindur. Gruaja ime e tanishme kishte punësuar një dado filipinase dhe në një moment ajo po qante. Doli se ishte kërcënuar për të bërë foto e video të miat dhe të asaj që ndodhte në shtëpinë time dhe për t’ua dorëzuar këto njerëzve në një kompani të quajtur Emerald Spa. Atëhere u tmerrova vërtet.

Kur filloi e gjitha kjo?

Menjëherë pasi u shkarkova nga Kryeministri. Ishte shtator apo tetor 2022 kur filloi përndjekja. Pastaj largova familjen. Nuk u ktheva më në Shqipëri sepse kisha frikë për jetën time. Kisha frikë për jetën e familjes sime.

Nëse do të përfundoja në burg, jam i sigurt që nuk do dilja i gjallë nga andej. Duke ditur që jam pak emocional, ata do të kishin krijuar ndonjë incident në burg dhe do të thoshin: “Eh, që ta dini, ngaqë u grind, prandaj u vra.”

Për rrjedhojë, tani për tani po jeton në mërgim. Në çfarë kushtesh do të konsideroje të ktheheshe?

Mendoj për këtë çdo ditë. Kur ta kuptoj që Kryeministri ka humbur kontrollin e tij mbi drejtësinë, atëhere do të kthehesha—edhe në burg, nëse do të doni.