Biznesmeni Ratko Kapushevski dhe pronari i “Pucko Petrol”, Asmir Jaoski, janë arrestuar në kuadër të aksionit më të ri të ndërmarrë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PНКОК) dhe Byroja për Siguri Publike.

Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit konfirmoi se pasditen e sotme, nën drejtimin e një prokurori të PNKOK, Byroja për Siguri Publike dhe Ministria e Punëve të Brendshme po kryejnë bastisje në disa lokacione në mbarë vendin.

Bastisjet po realizohen me urdhër të një gjykatësi të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale në Shkup, në lidhje me veprat penale të kryera në procesin e furnizimit të derivateve.

Siç u raportua më herët, ka filluar një aksion i koordinuar kundër kompanive dhe individëve të përfshirë në furnizimin e dyshimtë të mazutit, i cili rrezikon shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin.

Sipas burimeve jozyrtare, është zbuluar një rrjet importuesish që, në kundërshtim me ligjin, kanë sjellë një lloj karburanti me origjinë dhe cilësi të dyshimtë. Ky karburant shpesh përmban nivele të larta të squfurit, metale të rënda ose përbërës të tjerë të dëmshëm, të cilët mund të shkaktojnë ndotje serioze të ajrit dhe tokës.

Sipas informacioneve fillestare, bëhet fjalë për një shumë të madhe prej rreth 10 miliardë denarësh, të shpërdoruara përmes kontratave fiktive të huave dhe shërbimeve ndërmjetësuese për furnizimin me karburante të dyshimta.

Prokuroria ka njoftuar se informacione më të detajuara do të ndahen gjatë ditës së nesërme.