Si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm që goditën rajonin gjatë natës së së premtes, trembëdhjetë persona kanë humbur jetën në qytetin Bahia Blanca, në jugperëndim të Buenos Aires.

Sipas mediave të huaja, mësohet se në mesin e viktimave janë edhe dy motra të mitura të moshës një dhe katër vjeç, ndërsa autoritetet shprehen se mund të shfaqen më shumë trupa të vdekur.

Bashkia e qytetit, që ka rreth 350 mijë banorë, ka raportuar se rreth 850 persona janë ende të zhvendosur dhe se dëmet janë të mëdha. Ministrja e Sigurisë Kombëtare, Patricia Bullrich, e cila dha një intervistë nga Bahia Blanca, e quajti qytetin “të shkatërruar”.

Ajo shtoi se po bëhen përpjekje të mëdha për të gjetur të mbijetuarit dhe për të siguruar ndihmën për ata që janë prekur.

Ministër i Sigurisë në Provincën e Buenos Aires, Javier Alonso është shprehur se qeveria ka lëshuar 10 miliardë pesos për ndihmën emergjente dhe për të mbështetur përpjekjet e rikuperimit pas stuhisë shkatërruese.