Arrestimi i rivalit politik të presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, Ekrem Imamoglu, ka shkaktuar humbje të mëdha në tregjet turke të kapitalit, duke tronditur besimin e investitorëve. Kjo situatë çoi në javën më të keqe për tregun turk të aksioneve që nga kriza financiare globale e vitit 2008. Indeksi i aksioneve ISE 100 humbi përkohësisht më shumë se 16% të vlerës së tij.

Si përgjigje, Enti Rregullator i Tregut të Kapitalit në Turqi ndaloi shitjet e shkurtra dhe spekulimet për të parandaluar një rënie të mëtejshme të çmimeve. Në të njëjtën kohë, u lehtësuan blerjet e aksioneve për të stabilizuar tregun. Pavarësisht një rritjeje të përkohshme prej rreth 2%, indeksi përsëri ra në vlera negative, duke arritur nivelin më të ulët që nga nëntori.

Ekspertët paralajmërojnë se ky zhvillim mund të kthehet në një problem të madh për Erdoganin. Në vitet e fundit, shumë investitorë turq i kanë drejtuar fondet e tyre në bursë për t’u mbrojtur nga inflacioni i lartë, i cili në mars arriti rreth 39%.

Një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë turke është turizmi. Ekspertët besojnë se pasiguria politike mund të ndikojë në këtë industri, megjithëse pasojat nuk janë ende të qarta.

Dirk Schmücker, drejtor shkencor në Institutin NIT (New Insights for Tourism) në Kiel, shprehet se ndikimi në turizëm mund të jetë i kufizuar:

“Nuk është hera e parë që qeveria turke vepron ndryshe nga standardet evropiane, prandaj nuk duhet ta mbivlerësojmë këtë efekt.”

Ndërkohë, Marco A. Gardini, profesor në Fakultetin e Menaxhimit të Turizmit në Universitetin e Shkencave të Aplikuara Kempten, vëren se kjo çështje ka rëndësi të madhe për qarqet politike dhe diplomatike ndërkombëtare, por jo domosdoshmërisht për turistët.

“Shumica e turistëve që zgjedhin Turqinë si destinacion nuk do të ndikohet shumë nga kjo ngjarje, pasi politika e Erdoganit nuk ka qenë një faktor vendimtar për zgjedhjet e tyre.”