Asllani-Bellingam, duel kampionësh për Amerikën. Yjet e ekipeve janë të veçantët e përballjes në Uembli

Asllani, Amerika, Anglia. Bellingam, Broja, Botëror. Duket si mësimi i alfabetit dhe abetarja, por është më shumë se kaq.Janë yjet përmes të cilëve Shqipëria dhe Anglia duan të fitojnë ndeshjen, heronjtë që duhet të marrin përdore ekipin, edhe pse surprizat nuk përjashtohen. Kombëtarja shqiptare do të bëjë debutimin nesër në “Uembli” për eliminatoret e Botërorit. Misioni është i vështirë, por jo i pamundur. Arsyet për të besuar dhe për të mos besuar janë të shumta, por në një ndeshje futbolli mund të ndodhë gjithçka.
ASLLANI– Kristjan Asllani është një prej liderëve të Kombëtares shqiptare. Vjen në një moment të mirë me skuadrën e Interit, ku ka marrë minuta dhe ka fituar besimin e trajnerit Simone Inzagi. Në ekipin kuqezi është i paprekshëm, futbollisti që Silvinjo bazon lojën dhe skemat e tij. Shqiptarët presin shumë prej tij, sepse vjen si një kampion i Italisë dhe me shumë përgjegjësi mbi shpatulla. Djaloshi 23-vjeçar ka luajtur 29 ndeshje me fanellën kuqezi dhe ka shënuar 3 gola në total, dy prej tyre spektakolarë. Ai është lojtari më i shtrenjtë i Kombëtares shqiptare (18 milionë euro). Në Angli sytë e shqiptarëve janë mbi të gjitha tek ai. Kristjani në këtë sezon me Interin ka sfiduar 2 skuadra angleze, Sitin dhe Arsenalin. Në ndeshjen e parë nuk luajti, ndërsa në të dytën dha kontribut 20 minuta për fitoren e zikaltërve. Këtë verë do të shkojë me Interin në Amerikë, për të luajtur Botërorin e Klubeve, por ëndrra e tij e madhe është Botërori me Shqipërinë. “Nuk dua të zgjedh, më mirë të bëj tripletë me Interin dhe të shkoj edhe në Botëror me Shqipërinë”, tha djaloshi përpara dy ditësh në konferencë.
AMERIKA- Por dikush tjetër nga kuqezinjtë ka shkuar i pari në Amerikë dhe shpreson që të marrë me vete të gjithë të tjerët në verën e ardhshme, Myrto Uzuni. Djaloshi nga Berati, pas një mijë e një peripecish, ka arritur që të sigurojë një kontratë me Ostin në Teksas dhe ka nisur që të shkelë barin e fushave amerikane. Por sikur ta bëjë me fanellën kuqezi, do të ishte një ëndërr e jashtëzakonshme, për më tepër që në Europian nuk mori ftesën nga Silvinjo. Një motiv ekstra.
BROJA- Anglia mund të ishte skuadra e tij, por ai zgjodhi Shqipërinë. Me krenari dhe dëshirë që një ditë ta çonte në kompeticione të rëndësishme. Ja ku e ka shansin. Sfida në “Uembli” është ndeshja e jetës për të, një ndeshje që i shkoi pranë vite më parë, por nuk luajti për shkak të dëmtimit dhe të një fërkimi me Edi Rejën. Prezenca e tij në këtë listë tregon se sa shumë e do këtë mision, sepse rikthehet pas një kohe të gjatë në fushën e lojës.
BELLINGAM- “Mali” që duhet ngjitur për të parë Amerikën, është i lartë. Anglia është një prej kombëtareve më të forta të Europës dhe sigurisht që nuk do të lërë vend për shaka të hidhura në ndeshjen e parë. Sytë e “Tre Luanëve” janë nga Xhud Bellingam, ylli i Realit të Madridit. Tashmë me stofin e një kampioni dhe një lideri, kërkon ta transmetojë këtë ndjenjë edhe në ekipin kombëtar. I shkoi afër një ëndrre me Anglinë në finalen e Berlinit, por Spanja ishte më e fortë dhe meritoi të shpallej kampione e Europës.