Zbulimi i një deleje të infektuar me gripin e shpendëve në Mbretërinë e Bashkuar ka shtuar shqetësimet për një pandemi të mundshme. Ky është rasti i parë i njohur globalisht i infektimit të një deleje me virusin H5N1, i cili tashmë po përhapet te gjitarët, duke rritur rrezikun e transmetimit te njerëzit.

Ekspertët paralajmërojnë se kontakti i ngushtë i njerëzve me kafshët e infektuara mund të krijojë kushtet për mutacione të virusit, duke e bërë atë më të rrezikshëm për njerëzit. H5N1 tashmë është përhapur gjerësisht te gjedhët në SHBA dhe është zbuluar edhe te kuajt, fokat, dhelprat dhe delfinët.

Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar thotë se rreziku për publikun është ende i ulët, por virusi kryeson listën e patogjenëve që mund të shkaktojnë një pandemi. Autoritetet po mbajnë nën vëzhgim të rreptë situatën, ndërsa shkencëtarët analizojnë mutacionet e mundshme të virusit në rastin e deles së infektuar.

Ndërkohë, përhapja e shpejtë e H5N1 në SHBA ka ngritur shqetësime për sigurinë ushqimore, pasi fragmente të virusit janë gjetur edhe në qumështin në raftet e supermarketeve. Ekspertët theksojnë se veprimi i shpejtë për të ndaluar përhapjen e virusit është thelbësor për të shmangur një krizë globale shëndetësore.