Autoritetet turke kanë arrestuar mbi 300 persona në protestat e mbajtura gjatë natës në disa qytete, kundër arrestimit të kryetarit të Stambollit, Ekrem Imamoglu, tha Ministria e Brendshme. Protestat u mbajtën në dhjetëra qytete, përfshirë në Stamboll, dhe në Ankara. Në njoftim u tha se arrestimet u kryen për të parandaluar “prishjen e rendit publik” dhe u paralajmërua se autoritetet nuk do të tolerojnë “kaos dhe provokim”.

Dhjetëra mijëra turq po protestojnë, kryesisht në mënyrë paqësore, që nga e mërkura, kur Imamoglu u arrestua nën akuzat për korrupsion dhe ndihmë ndaj një grupi terrorist.

Ai është rivali kryesor politik i presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan.
Partia e kryetarit të Stambollit, Partia Popullore Republikane – subjekti kryesor opozitar – e ka dënuar arrestimin e tij, duke e cilësuar si të motivuar politikisht dhe u ka bërë thirrje mbështetësve që të protestojnë në mënyrë të ligjshme.
Imamoglut, u arrestua derisa partia e tij po përgatitej për ta shpallur atë kandidat presidencial të dielën. Partia u ka kërkuar njerëzve jashtë partisë të votojnë për të në kutitë e votimit të vendosura në të gjithë vendin, si shenjë e rezistencës publike.