Real Madridi është i fokusuar te sezoni aktual dhe ndeshja vendimtare ndaj Atletico Madridit në Ligën e Kampionëve.

Megjithatë, planifikimi për merkaton e verës nuk është lënë anash.

Florentino Perez dhe Jose Angel Sanchez po punojnë për nënshkrimet e reja të Real Madridit, por jo për shumë të mëdha.

Një nga vendimet që ata kanë marrë është që të mos nënshkruajnë me yllin e La Ligas, Martin Zubimendin që luan te Real Sociedadi.

Ky i fundit ishte i lidhur me një kalim te Reali për tash e disa kohë.

Konkurrenca e fortë në mesfushë mes Aurelien Tchouamenit, Eduardo Camavingas, Dani Ceballosit e Federico Valverdes ka bërë që bordi i Realit të mos ta ketë prioritet nënshkrimin e një mesfushori tjetër.

Siç raportohet nga “Defensa Central” edhe çmimi i lartë i nënshkrimit me Zubimendin ka luajtur rol në këtë vendim.

Klazuola e tij e lirimit është 60 milionë euro, një shifër që Reali nuk dëshiron ta paguajë, me ç’rast Arsenali është në “pole-position” për ta siguruar atë.

Klubi i Realit po vlerëson të ardhmet e Luka Modricit dhe Nico Pazit, të cilat ende janë të paqarta.

Derisa kroati mund të jetë në ditët e tij të fundit si lojtar i Real Madridit, Nico Paz po vlerësohet si një përforcim për të ardhmen. Kështu, nëse nuk do të ketë largime të papritura nga Reali, atëherë ky i fundit nuk do të futet në tregun e transferimeve për një mesfushor, aq më pak për Martin Zubimendin.