Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mori pjesë këtë të shtunë në një iftar të organizuar për besimtarët myslimanë të Degës 12, nga kandidati i Opozitës për Qarkun Tiranë, Ethem Aga.
Në fjalën e tij, Berisha shprehu respektin dhe vlerësimin për të gjithë ata që kanë agjëruar gjatë muajit të Ramazanit, duke e cilësuar këtë si një akt që forcon moralin dhe afrimin me Zotin.
“Dua të përulem me nderimin më të madh para të gjithëve ju që keni agjëruar këtë muaj të shenjtë, një sakrificë që fisnikëron shpirtin dhe e afron njeriun më shumë me Zotin”, tha Berisha.
Me rastin e Natës së Bajramit, Berisha përcolli urimet e tij për mbarë besimtarët myslimanë.
“Le të festojmë Bajramin me besim më të madh te Zoti, me besim më të madh tek Shqipëria dhe me shpresën për një të ardhme më të mirë“, theksoi ai.
Në përfundim të fjalës së tij, Berisha përcolli urimet më të përzemërta për të gjithë shqiptarët, duke dëshiruar gëzim, begati dhe paqe në familjet e tyre.