Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar një reformë të gjerë brenda forcës që drejton, duke theksuar se pastrimi i strukturave të PD-së dhe lufta kundër korrupsionit janë prioritete. Gjatë një deklarate nga selia blu, ai nënvizoi se vendi ka nevojë për një qasje të re ndaj abuzimeve me fondet publike dhe për rikthimin e pasurive të vjedhura tek qytetarët.

“Pastrimi i shtëpisë është shtylla themelore e reformës tonë. Nuk mund t’u kërkojmë shqiptarëve të na besojnë, nëse nuk garantojmë transparencë dhe llogaridhënie brenda radhëve tona,” tha Berisha, duke theksuar se PD-ja duhet të riformatohet nga themelet.

Sa i përket luftës kundër korrupsionit, ai deklaroi se çdo qindarkë e vjedhur nga zyrtarët e korruptuar duhet të kthehet tek qytetarët. “Ne do të ndjekim çdo qindarkë të vjedhur. Çdo pasuri e ndërtuar mbi korrupsionin do t’u kthehet qytetarëve. Nuk do të ketë tolerancë për askënd,” tha ai.

Berisha kritikoi edhe ekonominë e vendit, duke e konsideruar si të kapur nga oligarkët dhe grupet kriminale. “Monedha e bekuar, euro, në Shqipëri është kthyer në një monedhë ndëshkuese për shkak të pastrimit të parave nga grupet kriminale. Bizneset e ndershme po mbyllen, eksportet po bien, dhe kjo duhet të ndalet,” u shpreh ai.
Në lidhje me drejtësinë, Berisha deklaroi se do të kërkojë ndërhyrjen e Komisionit të Venecias për të rishikuar reformat dhe për të siguruar një sistem të drejtë dhe të paanshëm. “Reforma në drejtësi do të rishikohet në themel. Ky vend nuk mund të drejtohet nga një drejtësi selektive dhe e kapur,” theksoi ai.

Gjatë fjalës së tij, Berisha nuk la pa përmendur edhe sfidat brenda Partisë Demokratike, duke nënkuptuar se nëse vjen në pushtet, do të ndërmarrë një “spastrim” të brendshëm për të garantuar një forcë të pastër politike dhe të besueshme për qytetarët.