Banka Botërore shprehu kënaqësinë për anëtarësimin e vendit në Zonën e vetme të pagesave në euro (SEPA) dhe me përpjekjet e bëra nga Banka Popullore për arritjen e këtij qëllimi. Anëtarësimi do të sjellë përfitime të shumta për ekonominë e përgjithshme, ku qytetarët dhe kompanitë do të përfitojnë më shumë. Për përfitime të mëtejshme, është e rëndësishme që vendi të bashkohet me projektin rajonal të pagesave të menjëhershme të udhëhequr nga Banka Qendrore e Italisë dhe që është pjesë e Planit të Rritjes së Ballkanit Perëndimor të Bashkimit Evropian.

Kjo u theksua në takimin midis guvernatores së Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska, drejtorit të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Shiaoçin Ju, dhe drejtorit për Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, Masimiliano Paoluçi, ku morën pjesë edhe zëvendësguvernatorja Emilia Nacevska, drejtoresha e përgjithshme për Mbikëqyrje, Viktoria Gligorova dhe drejtoresha e Sektorit për Politikë Monetare, Hulumtime dhe Statistikë, Sulltania Bojçeva-Terzijan. Në takim u theksua përkushtimi i Bankës Popullore dhe institucioneve të përfshira në vend, të cilat me mbështetjen e ekspertëve të Bankës Botërore, punuan shumë për të përshpejtuar procesin e integrimit të vendit në infrastrukturën e pagesave të Bashkimit Evropian, përmes anëtarësimit në SEPA.

Në takim, guvernatorja Angellovska-Bezhoska shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Bankës Botërore gjatë gjithë procesit, e cila në mënyrë efektive i harmonizoi rregulloret dhe praktikat kombëtare me BE-në dhe SEPA-n, duke e bërë vendin tonë anëtaren e 39-të të SEPA-s.

Siç informojnë nga Banka Popullore, në takim është biseduar edhe për modernizimin e mëtejshëm të sistemeve të pagesave dhe përfitimet e mëtejshme për qytetarët, veçanërisht përmes anëtarësimit në projektin e zbatuar nga Banka Qendrore e Italisë, i cili është i dedikuar për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Qëllimi është krijimi i një sistemi pagesash të menjëhershme si një klon i sistemit TIPS të menaxhuar nga Banka Qendrore Evropiane (BQE). Sistemi do të mundësojë ekzekutimin e menjëhershëm të pagesave të brendshme në çdo kohë të ditës gjatë gjithë vitit në secilin prej vendeve, si dhe pagesat e tyre të ndërsjella dhe pagesat me vendet e BE-së.

Gjatë tre dekadave të fundit, Banka Botërore ka qenë një partner i rëndësishëm i Bankës Popullore, duke ofruar asistencë teknike përmes projekteve të shumta për të forcuar më tej kapacitetet e vendit dhe të bankës qendrore dhe për të ruajtur stabilitetin makroekonomik. Banka Botërore e mbështeti Bankën Popullore në përgatitjen e planit trevjeçar për financat e gjelbra, zhvillimin e strategjisë makroprudenciale dhe forcimin e kornizës së rrezikut sistematik, si dhe në hartimin e akteve nënligjore për zgjidhjen e bankave.