Gjatë javës së 11-të të vitit 2025 (10-16 mars), në vend u raportuan 1370 raste të të sëmurëve me grip dhe sëmundjeve të ngjashme me gripin. Kjo paraqet një rënie prej 41.6 përqind krahasuar me javën e kaluar. Numri i të regjistruarve këtë javë krahasuar me javën e 11-të të sezonit të kaluar është rritur me 5.4 herë, njoftoi pasditen e sotme Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), raporton SHENJA.

Më së shumti raste janë raportuar në Shkup – 371, më pas në Tetovë – 131, Manastir – 110, Veles – 107, dhe në të tjerat qytete, numri i rasteve është më pak ose i barabartë me njëqind.

Për sa i përket moshës, 827 persona janë nga mosha 15 deri në 64 vjeç. Nga rastet, 284 janë fëmijë nga 5 deri në 14 vjeç, 135 persona mbi 65 vjeç. Nga të infektuarit, 124 janë fëmijë nën moshën katër vjeç.

“Në sezonin 2024/2025 numri i përgjithshëm i rasteve me sëmundje të ngjashme me gripin është 23661. Krahasuar me të njëjtën periudhë të sezonit të kaluar numri i rasteve të raportuara është rritur për 68,3 përqind dhe krahasuar me modelin e 14 sezoneve të fundit është regjistruar një rritje prej 21,3 për qind”, thonë nga ISHP.

Janë regjistruar pesë persona të vdekur, tre nga Shkupi dhe nga një nga Sveti Nikolla dhe Radovishi. Katër raste i përkasin grupmoshës mbi 65 vjeç, një në grupin nga 15 deri në 64 vjeç. Të gjitha rastet vdiqën në spital, me sëmundje shoqëruese dhe të pavaksinuar kundër gripit.

Deri në javën e 11-të, gjithsej 72,294 persona në vend ishin vaksinuar me vaksinë falas ose komerciale të gripit.

Gjatë sezonit 2024-2025 janë regjistruar nëntë vdekje, dy persona nga grupmosha 30 deri në 64 vjeç dhe shtatë persona nga grupmosha mbi 65 vjeç. Te të gjithë të vdekurit janë regjistruar sëmundje shoqëruese.