Partitë e deritashme opozitare Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë hedhur poshtë mundësinë e krijimit të koalicionit me LVV-në për krijimin e Qeverisë së ardhshme.
Madje të tri këto subjekte politike kanë shprehur gatishmëri për formimin e një Qeverie së bashku.
Së fundmi liderët e të tri partive, Memli Krasniqi i shoqëruar nga kandidati për kryeministër Bedri Hamza, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj kanë zhvilluar takime.
Telegrafi mëson se kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ditë më parë kishte zhvilluar një takim me liderin e PDK-së Memli Krasniqin dhe Bedri Hazmën, ndërkaq të hënën është takuar me liderin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka konfirmuar se Abdixhiku ka pasur takime dhe iniciativa me partitë opozitare, duke përmendur biseda me Bedri Hamzën, Memli Krasniqin dhe Ramush Haradinaj.
Ai tha se LDK është e interesuar për të udhëhequr qeverinë dhe ta ruaj stabilitetin e saj.
“Sonte po ju themi njëjtë që e kemi konfirmuar atë që i kemi thënë qytetarëve tonë. Jemi të interesuar për të udhëhequr qeverinë… Tani ky rezultat po na zhvendosë në qëndrime të reja. Ne kemi konfirmuar qëndrimin e njëjtë. Ne e ruajmë qeverinë stabile se programi jonë ka qenë ambiciozë, por i bazuar”, tha Haziri.
Kujtojmë se kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ditë më parë kishte thënë se nuk bashkëpunon me opozitën pa postin e kryeministrit. /Telegrafi/