Ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale Sanja Bozhinovska sot ka realizuar takim me homologun e saj nga Azerbajxhani, Parviz Shahbazov, në kuadër të vizitës zyrtare kushtuar promovimit të bashkëpunimit energjetik ndërmjet dy vendeve.
Siç njoftojnë nga Ministria, në takim u theksua përkushtimi i përbashkët për forcimin e partneritetit në fushën e furnizimit me gaz, me fokus në mundësitë për kontrata afatgjata për furnizim me gaz, si dhe në investimet e mundshme në infrastrukturën e gazit në Maqedoni.
Shahbazov theksoi se vendi mund të bëhet një qendër rajonale e transportit të gazit, duke theksuar se Azerbajxhani është i gatshëm të angazhohet menjëherë në bashkëpunim për projekte specifike dhe të ofrojë mundësi për projekte të përbashkëta nëse ka interes.
Theks i veçantë u vu në bashkëpunimin e mundshëm ndërmjet ndërmarrjes shtetërore energjetike Termocentralet e Maqedonisë së Veriut (TMV) dhe kompanisë shtetërore të naftës të Azerbajxhanit SOCAR.
Shahbazov gjithashtu i bëri ftesë të drejtpërdrejtë ministres Bozhinovska për të marrë pjesë në takimin e ardhshëm ministror të këshillit këshillëdhënës për korridorin jugor të gazit, si dhe në takimin e tretë ministror të këshillit të energjisë së gjelbër.
Bozhinovska theksoi gatishmërinë e Maqedonisë për bashkëpunim aktiv në disa projekte që do të sigurojnë siguri, qëndrueshmëri dhe pavarësi energjetike për vendin, duke theksuar se ky takim paraqet një hap të rëndësishëm drejt realizimit të atyre qëllimeve.
“Azerbajxhani na ofron bashkëpunim konkret që do të na ndihmojë të jemi një qendër serioze rajonale e transportit të gazit. Kjo është diçka që do të kishte një rëndësi strategjike për të ardhmen energjetike të vendit tonë dhe do të sillte përfitime si për ekonominë ashtu edhe për qytetarët. Do të punojmë seriozisht për këtë dhe shpresojmë në ndihmë nga partnerët tanë ndërkombëtarë”, theksoi Bozhinovska.
Në kuadër të vizitës zyrtare në Azerbajxhan, delegacioni i RMV-së i kryesuar nga presidentja Gordana Siljanovska-Davkova zhvilloi takim pune edhe me kryeministrin e Azerbajxhanit, Ali Asadov dhe kryetaren e Kuvendit Kombëtar të Republikës së Azerbajxhanit, Sahiba Gafarova.