Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer tha se nuk është ende koha për të hequr sanksionet kundër Rusisë dhe njoftoi se vendet që marrin pjesë në samitin e Ukrainës në Francë janë në të njëjtin mendim për këtë çështje.
Starmer bëri deklarata pas samitit të liderëve për Ukrainën i cili u mbajt në Paris nën organizimin e Francës. Ai tha se liderët evropianë diskutuan në samit mbi planet ushtarake dhe operacionale për të mbështetur Ukrainën. Starmer vuri në dukje se shumë vende ashtu sikur edhe tre vite më parë, ndodhen pranë Ukrainës në këtë moment kritik dhe se do ta vazhdojnë mbështetjen e tyre.
“Gjithashtu, vendet pjesëmarrëse në samit ranë dakord që sanksionet kundër Rusisë nuk duhet të lehtësohen”, tha Starmer, i cili shtoi se ata kanë shprehur pikëpamje të qartë se nuk është ende koha për të hequr sanksionet.
Ai theksoi se është absolutisht e qartë se Rusia po përpiqet të “shpërqendrojë” dhe po luan lojë. “Përkundrazi, ne diskutuam se si mund të rrisim sanksionet për të mbështetur iniciativën e SHBA-së dhe për ta sjellë Rusinë në tryezë me presionin e mëtejshëm nga ky grup vendesh”, tha Starmer.
Kryeministri britanik tha se liderët ranë dakord se Ukrainës duhet t’i jepet më shumë mbështetje për të siguruar që ajo të jetë në pozicionin më të fortë të mundshëm në negociata, si tani ashtu edhe në të ardhmen.