Vendimi i presidentit amerikan, Donald Trump, për pezullimin e të gjitha ndihmave ushtarake për Ukrainën duket sikur ai po mundohet që ta shtyjë Kievin drejt kapitullimit sipas kushteve të Rusisë, tha të martën një ligjvënës i lartë ukrainas.

“T’i ndalësh ndihmat tani nënkupton ta ndihmosh Putinin” – i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” deputeti ukrainas Oleksandr Merezhko, njëkohësisht shef i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme.

“Në sipërfaqe, kjo duket vërtet keq. Duket sikur ai po na shtyn ne drejt kapitullimit, që do të thotë (pranim i) kërkesave të Rusisë” – shtoi ai, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Trumpi dhe homologu i tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, u përplasën ashpër me fjalë javën e kaluar para mediave. Presidenti amerikan e akuzoi mysafirin se nuk ishte mjaftueshëm mirënjohës për mbështetjen e Uashingtonit në luftën kundër Rusisë, përcjell gazeta “Nacionale”.

Sipas deputetit Merezhko, “gjëja kryesore është që kjo është një goditje psikologjike, një goditje politike ndaj Ukrainës, ajo nuk e ndihmon shpirtin tonë”.

Ai e krahasoi ndërprerjen e ndihmave nga ShBA-ja me Marrëveshjen e Munihut të vitit 1938, kur Gjermanisë naziste i ishte lejuar aneksimi i një pjese të Çekosllovakisë.

“Kjo është më keq se Munihu, sepse të paktën ata nuk u munduan që ta portretizonin Çekosllovakinë si agresore, por këty ata mundohen ta akuzojnë viktimën për agresion – është tepër e rrezikshme” – tha më tej deputeti që vjen nga radhët e partisë së presidentit Zelensky./Nacionale