Maqedonia i është bashkuar Zonës së vetme të pagesave në euro (SEPA). Kompanitë do t’i bashkohen më lehtë tregtisë ndërkufitare të mallrave dhe shërbimeve dhe qytetarët do të marrin shërbime më të thjeshta, më të shpejta dhe më të lira për transferimin e parave në vendet e SEPA-s, ka shkruar ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska në profilin e saj në Fejsbuk pasi Këshilli Evropian i Pagesave miratoi Vendimin në Bruksel.

“Ky është një konfirmim i përpjekjeve të Ministrisë së Financave, Bankës Popullore dhe institucioneve të tjera që kanë punuar në periudhën e kaluar për harmonizimin e rregulloreve për anëtarësimin e vendit në zonën e SEPA-s, pra një sistem të vetëm pagesash për qytetarët dhe bizneset në vend me ato të zonës SEPA, pra të BE-së. Për kompanitë ne e bëjmë më të lehtë përfshirjen në tregtinë ndërkufitare të mallrave dhe shërbimeve në zonën e SEPA-s dhe zgjerimin e biznesit të tyre dhe rritjen e konkurrencës së tyre dhe për qytetarët ofrojmë shërbime më të thjeshta, më të shpejta dhe më të lira për transfertat e parave në vendet e SEPA-s”, thekson ministrja.

Ajo shton se për arritjen e këtij qëllimi, Ministria e Financave ka filluar ndryshimin e Ligjit për Shërbimet e Pagesave dhe Sistemet e Pagesave dhe Ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, me qëllim të harmonizimit me rregulloret e BE-së.

“Kompanitë dhe qytetarët do të kryejnë transferta si në transaksionet e pagesave të brendshme me 38 vende që janë pjesë e SEPA-s dhe BE-së. Rezultatet po vijnë, nuk devijojmë nga synimi i vendosur për të ndërtuar një shtet të përparuar dhe një ekonomi të zhvilluar. Maqedonia i ndjek trendet botërore”, thekson ministrja Dimitrieska-Koçoska.