Licenca për diskotekë mund të merret vetëm me një aplikim që pronari e nënshkruan vetë, duke deklaruar se plotëson kushtet minimale teknike. Nuk kërkohet një projekt ndërtimi i firmosur nga një projektues i autorizuar. Ky absurd është theksuar nga ekspertë të fushës së ndërtimit dhe urbanizmit, me të cilët kemi biseduar në sektorët për urbanizëm dhe planifikim në disa komuna, pas zjarrit katastrofik në diskotekën “Puls” në Koçan, ku dje humbën jetën 59 persona të moshës 14-25 vjeç.

Diskoteka “Puls” ishte e vendosur në një objekt që kishte destinacionin “industri e lehtë”, pra një depo. Ky objekt kishte dritare me grila dhe vetëm një hyrje-dalje të vogël. Diskoteka ishte e vendosur në një zonë urbane mes shtëpive, në një rrugicë të ngushtë dhe të vështirë për t’u aksesuar, pa parkim. Makinat e mysafirëve parkoheshin në rrugicat përreth, duke i bërë rrugët të pakalueshme për automjetet e emergjencës dhe zjarrfikësve.

Sipas Rregullores për kushtet minimale teknike për ushtrimin e veprimtarisë së gastronomisë, në nenin 31 që i referohet kabareve, bareve të natës dhe klubeve të natës, objektet duhet të kenë një sistem klimatizimi dhe ventilim të përshtatshëm që siguron ndryshimin e ajrit 20 herë në një orë. Objektet duhet të kenë izolim të përshtatshëm akustik në përputhje me rregulloret për mbrojtjen nga zhurma. Duhet të kenë të paktën një dalje emergjence për një kapacitet prej 100 personash, ndërsa për një numër më të madh njerëzish kërkohen dalje ndihmëse shtesë. Një klub nate në ambient të hapur duhet të jetë të paktën 300 metra larg ndërtesave banesore në vijë ajrore.

Në rregullore thuhet se objekti duhet të ketë furnizim të përshtatshëm me ujë të pijshëm dhe lidhje me energjinë elektrike. “Objektet gastronomike duhet të funksionojnë në përputhje me rregulloret për mbrojtjen nga zjarri, sipas të cilave objekti duhet të ketë pajisje dhe mjete për fikjen e zjarrit”, thuhet në nenin 9 që lidhet me mbrojtjen nga zjarri, por nuk kërkohet ndonjë dokument që dëshmon përmbushjen e këtyre standardeve.

Për të marrë licencë, pronarët duhet të dorëzojnë një Aplikim për përmbushjen e kushteve minimale teknike për ushtrimin e veprimtarisë gastronomike, ku thjesht shënojnë se i plotësojnë kushtet e kërkuara dhe vendosin firmën dhe vulën e kompanisë.

A. Antevska