Izraeli është i gatshëm të zgjerojë territorin e tij duke marrë pjesë nga territori i Rripit të Gazës.

Këtë fakt e ka bërë të diktur kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili në një seancë dëgjimore në Parlament përsëriti kërcënimet kundër Hamasit, shkruan A2.

“Sa më shumë që Hamasi të vazhdojë në refuzimin e tij për të liruar pengjet tanë, aq më i fuqishëm do të jetë represioni që ne ushtrojmë, kjo përfshin edhe zgjerimin e territorit tonë kundrejt tokave palestineze dhe shumë gjëra të tjera”, tha Netanyahu.

Kërcënimi i Netanyahut lidhet me faktin se Hamasi nuk po i liron pengjet izraelite. Reagimi i Netanyahut vjen një ditë pasi ministri i Mbrojtjes së Izraelit paralajmëroi Gazën për marrje të mëtejshme të territorit.

Sakaq, palestinezët demonstruan kundër Hamasit në Gazën veriore, në atë që dukej të ishte protesta më e madhe kundër grupit militant që nga sulmet e tij ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.

Videoja e siguruar nga CNN dhe Reuters tregojnë turma të mëdha, që vlerësohet se ishin mijëra njerëz. Ata brohorisnin “Për hir të Zotit, Hamas duhet jashtë”, “Terroristët e Hamasit” dhe “Duam t’i japim fund luftës”.

Një mesazh i shpërndarë në mediat sociale duket se bën thirrje për nëntë demonstrata kundër Hamasit në të gjithë Gazën, ku organizatorët e protestës thanë se “zërat tanë duhet të arrijnë të gjithë spiunët që shitën gjakun tonë”.

Protestat vijnë pasi numri i të vdekurve në Gaza kaloi 50 000 të dielën, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në enklavë. Kriza në enklavë, e cila mbështetet pothuajse ekskluzivisht në ndihmën humanitare, u përkeqësua kur Izraeli tha se po ndalonte të gjithë ndihmat nga hyrja në Gaza në fillim të marsit, pas prishjes së bisedimeve për zgjatjen e armëpushimit.

Izraeli e ka akuzuar shpesh Hamasin për vjedhjen e ndihmave humanitare të dërguara në enklavë për të “rindërtuar makinën e tij të luftës”, diçka që grupi militant e mohon.