Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan i tha homologut të tij rus Vladimir Putin se bashkëpunimi midis Turqisë dhe Rusisë është vendimtar për zgjidhjen e konflikteve rajonale, tha zyra e tij.

“Bashkëpunimi midis Turqisë dhe Rusisë është vendimtar për zgjidhjen e problemeve rajonale,” tha ai pas bisedimeve, të cilat prekën si luftën në Ukrainë ashtu edhe situatën në Siri.

Dy liderët folën për sigurinë në Detin e Zi. Erdogan u zotua se Ankaraja do të ndërmarrë hapa për të garantuar “sigurinë e transportit tregtar”, që do të kontribuonte në përpjekjet për paqe, raportoi AFP.

Kremlini konfirmoi se të dy kishin shkëmbyer pikëpamje mbi “rifillimin e iniciativës për lundrim të sigurt në Detin e Zi dhe heqjen e pengesave për eksportet ruse të ushqimit dhe plehrave”.

Nisma është një marrëveshje e ndërmjetësuar nga Turqia dhe OKB-ja në vitin 2022 për të siguruar lundrim të sigurt për eksportet bujqësore ukrainase në Detin e Zi.

Moska, megjithatë, u tërhoq nga marrëveshja në vitin 2023, duke akuzuar Perëndimin për dështimin në lehtësimin e sanksioneve që sipas saj ndikonin në eksportet bujqësore dhe të plehrave të Rusisë.

Bisedimet erdhën një ditë pasi vendet evropiane ranë dakord të rrisin sanksionet kundër Rusisë për luftën e saj trevjeçare në Ukrainë, ndërsa Uashingtoni veçmas ndoqi nismën e tij të paqes përmes bisedimeve të drejtpërdrejta me Moskën.

“Turqia po ndjek nga afër procesin e nisur për t’i dhënë fund luftës së vazhdueshme midis Rusisë dhe Ukrainës dhe është e gatshme të ofrojë çdo lloj mbështetjeje, duke përfshirë pritjen e bisedimeve të paqes,” i tha Erdogan Putinit.

Anëtari i NATO-s, Turqia ka kërkuar të mbajë marrëdhënie të mira me të dy fqinjët e saj në Detin e Zi që nga pushtimi rus dhe ka organizuar dy herë bisedime që synojnë t’i japin fund luftës.

Presidenti turk theksoi gjithashtu se ishte “e rëndësishme që Turqia dhe Rusia të punojnë së bashku për të siguruar që Siria të arrijë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm”.

Rusia ka qenë një mbështetëse kryesore e liderit të fuqishëm të rrëzuar së fundmi të Sirisë, Bashar al-Assad, duke i ofruar atij mbështetje ushtarake gjatë luftës civile, ndërsa Turqia ka mbështetur rebelët që e kundërshtuan atë.

Moska po përpiqet të ndërtojë ura me administratën e re në Damask, veçanërisht për të siguruar fatin e bazave të saj ushtarake në vend.